Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjonbalaj për arrestimin e mjekut në Podujevë: Deri dje ishim heronj, sot jemi kriminelë

Nënkryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, e ka quajtur “gjueti shtrigash” arrestimin e pulmologut Ibrahim Hoti mbrëmjen e së enjtes në Podujevë, pas publikimit të një videoje ku ai refuzonte t’i ofonte shërbimin mjekësor një të moshuari.

Gjonbalaj ka deklaruar në “Express Intervista” të KTV-së se është i papranueshëm arrestimi i një mjeku nga një prokuror duke shtuar se është dashur të niste hetimi lidhur me rastin, por jo të bëhej menjëherë arrestimi i tij

“Kjo është 'gjueti shtrigash'. Një prokuror që paguhet trefishin e mjekut merr një vendim për arrestimin e mjekut dhe sot i ka lënë të gjithë pacientët pa shërbim specialistik në Podujevë. Nuk ka justifikim Prokuroria që në 10 të natës jep urdhër për arrestimin e një mjeku. Kemi raste që edhe mjekët janë sulmuar në vendin e punës dhe Prokuroria i ka marrë në intervistë të dyshuarit në kushte lirie. Mjeku nuk duhet të arrestohet, nuk di ku prokurori e ka gjetur atë të drejtë që ka arrestuar një mjek, dje ai mjek ka dhënë 45 shërbime për pacientët në nevojë”, ka thënë Gjonbalaj.

Sipas tij, reagimi i vrazhdë i mjekut të arrestuar mbrëmë ndaj të moshuarit ka ardhur si pasojë e një lodhjeje kronike për shkak të pandemisë.

“Nuk besoj që qytetari ka ngelur pa shërbim, ne vërejtëm në bazë të videos që u bë një debat, mjeku kishte përfunduar orarin e punës dhe siç pohon mjeku ishte i njëjti pacient që kishte kërkuar të njëjtin shërbim disa herë pas orarit dhe mjeku ia kishte dhënë”, është shprehur ai.

Edhe Lirohet mjeku që ishte arrestuar për “mosdhënie të ndihmës mjekësore” në Podujevë Arbëri Lirohet mjeku që ishte arrestuar për “mosdhënie të ndihmës mjekësore” në Podujevë

Ai ka hedhur dyshime për përfshirjen e politikës në këtë rast.

“Kjo vjen nën efektin e ndryshimit të pushteteve. Në këtë rast, Prokuroria u mburr se po mbaron një punë dhe po i hyn në hatër politikës. Nuk justifikohet ndryshe”, ka deklaruar Gjonbalaj. “Deri dje ishim heronj, me veprimin e mbrëmshëm nuk jemi më ata heronj, por jemi kriminela. Mjekët janë sulmuar në vendin e punës dhe prokuroria nuk ka marrë masa, kurse një mjek për një komunikim të vrazhdë arrin në arrestim”.

Ai ka paralajmëruar ankesë në Prokurori nga Oda e Mjekëve.

Pulmologu Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna pasditen e së enjtes pasi kishte refuzuar t’i ofronte shërbim mjekësor një të moshuari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Edhe Kërkohet lirimi dhe kthimi në punë i mjekut që s’u ofroi shërbime pacientëve në Podujevë Arbëri Kërkohet lirimi dhe kthimi në punë i mjekut që s’u ofroi shërbime pacientëve në Podujevë

Ndërkaq, sot, kolegë të tij nga QKMF-ja në Podujevë kanë protestuar duke kundërshtuar arrestimin e tij dhe më pas edhe suspendimin nga puna.