Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, zgjidhet kryetar i Kuvendit
Ridvan Hamza
Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës ka arritur të konstituohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Kjo edhe ka qenë pika e tretë e rendit të ditës, derisa paraprakisht, pas verifikimit të mandateve të deputetëve, gjithsej 111 deputetë prezentë bënë betimin, raporton KTV.
Gjatë këtij momenti, deputetet Time Kadrijaj dhe Ganimete Musliu, ia kanë dërguar nga një flamur të shtetit të Shqipërisë kryetarit të VV-së, Albin Kurti.
Kryesuesi i seancës, në këtë rast deputeti më i moshuar, Jahja Koka i Lëvizjes Vetëvendosje, me komentet e tij shkaktoi disa herë të qeshura në sallën e Kuvendit, përfshirë rastin kur i tërhoqi vërejtjen deputetit të LDK-së, Arben Gashi.
Koka, më vonë kërkoi nga grupi më i madh parlamentar, propozimin për kryetar të Kuvendit.
Albin Kurti propozoi bashkëpartiakun e tij, Glauk Konjufca, që edhe mori besimin e shumicës së deputeteve.
Pas votimit për Konjufcën u votuan edhe nënkryetarët Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala i LDK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së.
Derisa nga pakicat u propozuan dhe u votuan nënkryetarët Fikrim Damka dhe Slavko Simiq.
Pas votimit të nënkryetarëve, vendin ku për dy mandate qëndroi i ulur Kadri Veseli, e zuri Glauk Konjufca.
Ai ka falënderuar qytetarët për besimin dhe është zotuar se do t’i kryejnë detyrat përkitazi me ligjet dhe Kushtetutën.
Konjufca e ka mbyllur seancën duke shtuar se për të ardhmen do të njoftohen me kohë deputetët e zgjedhur.
Pjesë e seancës konstituive nuk ishin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që kishte bërë të ditur se nuk do të mbajë postin e deputetit, bashkëpartiaku i tij Pal Lekaj, si edhe kryetarët e Nismës Socialdemokrate, respektivisht AKR-së, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.
Betimin, të njëjtit do të mund ta bëjnë në seancën e ardhshme, që nuk pritet të thirret pa arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Vetëvendosjes e LDK-së.
Kurti: Zgjedhja e Konjufcës nuk ishte befasi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se zgjedhja e Konjfucës nuk ishte befasi dhe se me këtë hap është treguar qytetërim duke mos e bllokuar vendin.
Mustafa: U befasuam nga VV-ja, të gjitha marrëveshjet bien në ujë
Por, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kjo ka qenë befasi dhe se askush nga partia e tij nuk e ka ditur e as nuk ka pritur që Vetëvendosje do të propozojë kryeparlamentarin.
Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, Mustafa ka bërë të ditur se për shkak të kësaj, tani gjithçka do të nisë nga fillimi dhe, sipas tij, të gjitha marrëveshjet që janë bërë deri tani me VV-në, do të bien në ujë.
“Gjithsesi, duhet të bëhet marrëveshje e re lidhur me përgjegjësitë, por ka nevojë edhe te programi qeverisës. Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitarizëm shumë të mirë, të suksesshëm”, ka thënë Mustafa në Rubikon.
Intervista e plotë e kryetarit të LDK-së transmetohet sonte, në orën 20:00 në Rubikon.
Ambasada amerikane kërkon formimin e shpejtë edhe të qeverisë
Ambasada e Amerikës në Kosovë ka kërkuar formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës, teksa ka uruar për konstituimin e Legjislaturës së shtatë.
“Ambasada e Amerikës në Kosovë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kyeparlamentarin Glauk Konjufca, anëtarët tjerë të Kryesisë dhe të gjithë deputetët. Ne inkurajojmë liderët politikë të formojnë menjëherë qeverinë e re që është e vendosur për ta përmbushur mandatin e marrë nga votuesit. Presim të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë e prosperitetin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.