Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani shënon me atletikë protestat e ‘81-shës

Në shënim dhe nderim të protestave studentore të vitit 1981 në Komunën e Gjilanit shënohet tradicionalisht gara në atletikë, ku marrin pjesë vrapues nga Kosova, Kosova Lindore, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Madhështor ishte edhe sot ky organizim”, ka njoftuar zyra për media e Komunës së Gjilanit, që sikurse në pothuaj secilën komunikatë nuk harron të përmend se aktiviteti është mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri. Kësaj radhe, sipas komunikatës, njësisë për sport në bashkëpunim me Federatën e Atletikës së Kosovës e cila ka përcjellë mbarëvajtjen e garës.

Gjithnjë sipas njoftimit, në rrugët dhe sheshet e Komunës së Gjilanit gjithandej ishin mbledhur qindra atletë të cilëve hapësirën dhe gatishmërinë për përkujdesje për sigurinë dhe shëndetin e tyre po asistonte vazhdimisht Policia e Kosovës, ekipi nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe ekipet emergjente shëndetësore gjithnjë përcjellë edhe nga gjyqtarët e federatës dhe zyrtarët e sportit.

Udhëheqësi i Njësisë për Sport, Malazog Hoxha, tha se pjesëmarrja e garuesve nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe nga shtetet si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe qytetet e rajonit, i bëjnë nderë Gjilanit dhe është një solidaritet me të gjithë ata që bënë hapa të mëdhenj në organizimin e protestave studentore të ’81-shit.

Kjo garë është organizuar në tri nivele, për seniorë, juniorë, pionierë, por, gjithashtu në këtë garë kanë marrë pjesë edhe veteranët dhe personat me nevoja në zhvillim.

Atleti nga Mitrovica, Qlirim Hyseni i klubit Trepca'89 në shtegun 11,300 metra ishte më i miri, ndërsa në kategorinë e femrave ishte atletja nga Podujeva e klubit Llapi, Luljeta Shala që zuri vendin e parë.

Artikuj të ngjashëm