Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani shënon 5 Qershorin, Ditën Botërore të Mjedisit

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me organizatën “Let’s Do It”, drejtoritë e ndryshme komunale, FSK-në, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, shëndetësinë primare dhe nxënësit e shkollave, simbolikisht sot kanë shënuar 5 qershorin Ditën Botërore të Mjedisit, me aksionin për pastrimin e ambientit në Gjilan.

Me këtë rast drejtori për Shërbime Publike, Naser Korça, ka thënë se ky është një aktivitet jashtëzakonisht i mirë dhe duhet të jetë i vazhdueshëm sepse ambient është jetë për ne.

“Jemi në vendin që në Gjilan njihet ‘te Pishat’. Vend ideal për të kaluar një ditë pushimi, vend që ia vlen të vizitohet, ngase karshi bukurisë këtu është një ambient i freskët, mirëpo fatkeqësisht i ndotur nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Apeloj tek të gjitha ata që frekuentojnë këtë zonë që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë ndotjen tani e tutje. Ne kemi nevojë për mjedis të pastër, e jo mjedisi për ne. Ta ruajmë e gjelbërojmë”, ka thënë ai mes tjerash.

Deniza Limani, asistente politike e kryetarit Lutfi Haziri, ka thënë se bashkëpunimi gjithnjë sjell punë të mira dhe është në shërbim të përgjithshëm.

Ajo ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion të rëndësishëm për pastërtinë në përgjithësi dhe ka ftuar të rinjtë që kanë ide innovative t’i paraqesin dhe së bashku me mbështetjen e Hazirit edhe do të implementohen projekte me rëndësi për një jetë më të mirë dhe ambient më të pastër.

Ndërsa nga organizata “Let’s Do It”, Vjollca Bajraktari, ka thënë se ky është një moment që secili duhet të jetë i vetëdijshëm se ku po i hedhë mbeturinat. Ajo ka bërë thirrje që të ruhet ambient dhe mbeturinat të hedhen në vendet e destinuara për to.