Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjermania pret marrëveshje në Ohër për zbatimin e propozimit evropian

Gjermania pret që në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që mbahet në Ohër më 18 mars – palët do të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Ambasada gjermane në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se avancimi drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor është synim i Procesit të Berlinit, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë ka një pengesë në këtë rrugë.

“Raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të paraqesin pengesë. Takimi i ri i nivelit të lartë në Ohër shënon një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të kësaj pengese dhe avancimit në rrugën evropiane”, thanë nga Ambasada gjermane.

Në takimin e Ohrit, palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së.

Sipas Berlinit zyrtar, propozimi evropian për normalizimin e raporteve, për të cilin ranë dakord më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon të krijojë një bazë të qëndrueshme dhe besueshme për raportet mes dy shteteve.

Edhe OpEd Një vit nga (mos)marrëveshja e Ohrit

“Që kjo të ketë sukses, të dyja palët duhet të pajtohen të zbatojnë marrëveshjen”, thanë nga Ambasada gjermane në përgjigjen dërguar REL-it.

Pavarësisht se e pranuan propozimin dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për negocim të mëtejmë, Kurti dhe Vuçiq nuk e kanë nënshkruar dokumentin prej 11 nenesh.

Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Edhe Diskutimet që u përmbyllën pa marrëveshje Arbëri Diskutimet që u përmbyllën pa marrëveshje

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi. /REL