Nga katër kryetarët e komunave në veri, vetëm ai i Leposaviqit e ushtron detyrën në ndërtesë të komunës. E Gjermania ka kushtëzuar lobimin për heqjen e masave që BE-ja ia ka vendosur Kosovës me zhvendosjen edhe të këtij kryetari në zyrë alternative. Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada theksoi se Qeveria tashmë ka ndërmarrë hapa të lavdërueshëm për zbutjen e situatës në veri. E heqja e masave iu kërkua raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në takimet që ajo i realizoi të premten mbrëma në Prishtinë
Zhvendosja e kryetarit të Leposaviqit prej ndërtesës komunale në një zyrë alternative është kusht i Gjermanisë për të avokuar që Bashkimi Evropian (be) t’ia heqë masat ndëshkuese Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë foli të premten në shumës kur iu referua zhvendosjes së kryetarëve në veri, por vetëm një nga katër ndodhet në zyrë komunale.
“Qeveria e Kosovës tashmë ka ndërmarrë hapa të lavdërueshëm për zbutjen e situatës. Ka reduktuar praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunale. Ajo gjithashtu ka prezantuar një udhëzim administrativ për të përcaktuar procesin drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kërkesa që kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale nuk është zbatuar”, thuhet në përgjigjen e Christian Bottcher, udhëheqës i komunikimit në Ambasadën Gjermane.
Ambasada lavdëroi Kosovën për përballje profesionale me sulmin në Banjskë e edhe për përmirësim të koordinimit dhe bashkëpunimit me KFOR-in dhe EULEX-in. Ndërkaq bëri të ditur se Gjermania do të avokojë për përfundimin e masave të BE-së, në bazë të hapave të mëtejshëm nga Kosova.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe kryetarëve të katër komunave që të përmbahen nga vendimet e diskutueshme që e largojnë popullsinë lokale. Gjermania do të avokojë për përfundimin e masave në bazë të hapave të mëtejshëm nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Në fillim të javës, në BE thanë se masat do të hiqen kur të vlerësohet se “janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri”.
Por, në bllokun evropian nuk kanë treguar se cilat janë veprimet, të cilat nuk janë ndërmarrë nga Kosova dhe as nëse ka ndonjë kërkesë të re.
Në lidhje me qëndrimin evropian për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri nuk folën në Qeveri. Por, kanë përsëritur qëndrimin se janë plotësuar obligimet dhe se janë në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për ta konstatuar përmbushjen e masave.
Gjatë javës në Bruksel thanë se ky vit sjell shpresë për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, sipas profesorit të së drejtës, Flamur Hyseni, procesi ka marrë kah tjetër që nga sulmi në Banjskë. Sipas tij, dialogu nuk duhet të vazhdojë për sa kohë të jenë në fuqi masat ndaj Kosovës.
“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe pa anshmëri nga BE-ja. Prapë me këtë kërkesë, BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën. Nuk mund të deklarohet optimiste dhe të kërkojë kthim të palëve në tavolinën e bisedimeve, ndërsa Kosovës i kërkohet diçka ekstra procesit të dialogut, plus ende janë në fuqi masat/sanksionet”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, optimizmi i bllokut evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, asnjëherë nuk ka sjellë rezultate konkrete.
Profesori Hyseni kritikoi Brukselin zyrtar edhe për qasjen e njëanshme, siç ka thënë ai, në favor të Serbisë.
“BE-ja ka treguar mosrespekt ndaj shtetit dhe Kushtetutës së Kosovës, duke ofruar draft statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili e cenon rëndë rregullimin e brendshëm shtetëror dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Heqjen e masave të enjten e kërkoi edhe kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, gjatë konferencës për media me kryeministrin Albin Kurti.
E heqja e masave iu kërkua raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në takimet që ajo i realizoi të premten mbrëma në Prishtinë
Sipas njoftimit nga Presidenca, në takimin me të, presidentja Vjosa Osmani i ka quajtur të padrejta masat, dhe ka theksuar se ato krijojnë disbalanc në dialogun Kosovë-Serbi.
“Me këtë rast, presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat. Po ashtu, presidentja Osmani potencoi edhe një herë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”, thuhet në njoftimin e Presidences.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos për sigurinë dhe për punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE. Është folur edhe për ndikimin potencial të zgjedhjeve evropiane sivjet në Kosovë.
Viola von Cramon ka takuar edhe kryetarin e partisë më të madhe opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shkroi në Facebook se ka kërkuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian që të avokojë për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.
Gjatë takimit me Von Cramonin të premten, Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si “pasojë e papërgjegjësisë politike të qeverisë të paaftë”.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë, duke mos lënë anash as procesin e Integrimit evropian të Kosovës. Raportuesen von Cramon e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian në përgjithësi, por edhe ajo veçanërisht, i ka dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
BE njoftoi në korrik 2023 për masat ndëshkuese ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për uljen e tensioneve në veri. BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre që kanë të bëjnë me dialogun.
Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor.
Masat ndaj Kosovës janë vendosur pas tensioneve të krijuara, me të marrë detyrat kryetarët e rinj në katër komunat në veri, të banuara kryesisht me serbë.