Për të gjashtën herë me radhë brenda dy javësh janë sulmuar zyrtarët policorë. Kësaj here sulmi ka ndodhur në Zupç të Zubin-Potokut. Sipas Policisë së Kosovës, nga sulmi me armë zjarri, përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar. Për dallim nga sulmet e tjera, kësaj radhe sulmi është dënuar edhe nga Lista Serbe
E bllokuar për lëvizje ishte paraditen e së martës rruga në Zupç të Zubin-Potokut, në mes të së cilës të martën u sulmua Policia e Kosovës.
Derisa nga zyrtarët policorë shpëtuan pa lëndime, sulmi me armë zjarri ka lënë gjurmë në veturën e tyre.
Rastin e konfirmuan nga Policia duke bërë të ditur se kanë shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë e qytetarëve.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare në fshatin Zupç të Zubin-Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në Zubin-Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të lënduar. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”.
Sulmi i mëngjesit të së martës në Zupç të Zubin-Potokut ndaj Policisë së Kosovës është i gjashti me radhë brenda dy javësh. Më 15 prill u bë e ditur se zyrtarët policorë janë sulmuar me kallashnikov e granate dore e qe ishte sulmi i katërt për tri ditë. Sulmet ndaj Policisë vazhduan edhe një ditë me pas, kur vetura e zyrtarëve policorë në Sharpej të Jarinjës u sulmua me mjete shpërthyese. Deri më tani Policia e Kosovës nuk ka identifikuar ndonjë të dyshuar.
Veprimet hetimore për rastin në vendin e ngjarjes vazhduan deri në mesditën e së martës.
Pas disa orësh rruga u lirua për qarkullim e nga aty u larguan autoblindat e Policisë.
Sulmet e njëpasnjëshme ndaj policëve, sipas zëdhënësit Baki Kelani, kanë për qëllim krijimin e pasigurisë në veri të vendit.
“Referuar këtyre rasteve të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit, duke filluar nga data 13 prill e në kontinuitet deri më sot, tregon se ka indikacioni që situata të jetë më e brishtë apo të përkeqësohet në pjesën e veriut të vendit”, ka thënë ai.
Për dallim nga sulmet e tjera, atë në Zubin Potok e dënoi edhe Lista Serbe. Nëpërmjet një njoftimi për media, kjo parti iu ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.
“Lista Serbe dënon incidentin që ndodhi herët në mëngjes në Komunën e Zubin- Potokut kur u dëmtua vetura e Policisë së Kosovës. Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t'i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk ia do të mirën mirë popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Sulmi në Zupç të Zubin Potokut është dënuar edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Sipas tij, tensionet në veri nuk kanë lidhje me serbët.
OSBE-ja, ndërkaq, ka bërë thirrje për hetimin e sulmit.