Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjashtë fëmijë të braktisur brenda gjysmë viti në Kosovë

Foto: Ilustrim

Gjashtë fëmijë janë braktisur për gjashtë muajt e parë të këtij viti në Kosovë. Përfshirë edhe rastet e bartura nga vitet paraprake, gjithsej janë 28 fëmijë aktualisht në kuadër të mbrojtjes institucionale, përmes formave të mbrojtjes ligjore dhe familjare. Mirëpo, janë rritur edhe kërkesat për adoptim.

Magbule Koci, zyrtare e lartë për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, deklaroi se në krahasim me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, është numër i njëjtë i braktisjes së fëmijëve.

“Sa i përket fëmijëve të braktisur në bazë të raporteve të Qendrave për Punë Sociale, të cilat janë të obliguara që të raportojnë rregullisht në kuadër të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes, rezulton që gjatë këtij viti deri me datë 30 qershor janë braktisur gjashtë fëmijë, dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar është përafërsisht numër i njëjtë i braktisjes së fëmijëve. Gjithsej përfshirë rastet e reja dhe rastet e bartura nga vitet paraprake janë 28 fëmijë aktualisht në kuadër të mbrojtjes institucionale, përmes formave të mbrojtjes ligjore dhe familjare”, tha ajo.

Në Klinikën e Neonatologjisë këtë vit katër fëmijë janë transferuar në Qendrën për Punë Sociale pasi janë braktisur, ndërsa për tre të tjerë është arritur bashkimi familjar.

Drejtoresha e kësaj klinike, Hajrije Ismaili, thotë se numri maksimal i ditëve të qëndrimit të një fëmije në Neonatologji është 28 ditë, ndërsa për fëmijën e braktisur gjatë qëndrimit aty kujdeset personeli i veçantë.

Edhe Rritet numri i rasteve të foshnjave të braktisura në Kosovë Arbëri Rritet numri i rasteve të foshnjave të braktisura në Kosovë

“E kemi njësinë ku bëhet përkujdesja e këtyre foshnjave nga ana e personelit dhe varësisht nga nevoja sa duhet të qëndrojnë këtu. Nëse eventualisht ka nevojë për trajtim mjekësor, ato qëndrojnë edhe më gjatë, ndërsa nëse gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe familjarët bëjnë bashkim familjar, ato dërgohen te familjet e tyre. Rastet e tjera kur janë dilemat nëse do të përkujdeset nga ana e familjes apo ende janë në pikëpyetje të tjera, nëse ende nuk janë zgjidhur ato dilema, atëherë këto shkojnë në Qendrën për Punë Sociale. Zakonisht qëndrimi maksimal është 28 ditë në klinikën tonë”, tha ajo.

SOS Fshatrat e Fëmijëve është adresë për përkrahjen e fëmijëve të braktisur. Aktualisht në këtë qendër janë të strehuar 50 fëmijë.

Udhëheqësi i Kujdesit Alternativ në SOS Fshatrat e Kosovës, Besnik Peci, thotë se fëmijët jetojnë brenda SOS Fshatit deri në moshën 18-vjeçare, mirëpo edhe pas kësaj moshe vazhdojnë t’i përkrahin për tre vjet.

“Në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, aktualisht i kemi duke i strehuar 50 fëmijë, 40 janë të vendosur në tetë SOS Familje, të cilat ne i kemi dizajnuar dhe krijuar për ta, dhe dhjetë janë pjesë e programit gjysmë pavarësimit. Në këto tetë SOS Familje, i kemi aktualisht 40 fëmijë, prej tyre 26 që i takojnë gjinisë femërore dhe 14 që i takojnë gjinisë mashkullore. Për këta përkujdesën kujdestarët e fëmijëve, SOS Nëna dhe SOS Tezja që ne i kemi të angazhuara nëpër shtëpitë ku ne ofrojmë shërbime sociale dhe familjare dhe provojnë t’ju plotësojnë nevojat bazike dhe të avancuara të fëmijëve”, ka thënë ai.

Edhe Në Ditën e Familjes kërkohet shtim i familjeve strehuese e strehimoreve Arbëri Në Ditën e Familjes kërkohet shtim i familjeve strehuese e strehimoreve

SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës ofrojnë përkujdes dhe shërbime përmes programit të fuqizimit të familjes, afërsisht për 700 fëmijë në rajon Prishtinës, Graçanicës dhe Fushë Kosovës.

Gjithashtu kujdesen që të realizojnë aktivitete për fëmijët për të zhvilluar tek ata aftësi për jetën. /KSP