Gëzim Kasapolli është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e ka cilësuar Kasapollin si një nga figurat më të njohura të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend.
Abdixhiku ka thënë se Kasapolli vjen në LDK me mbi dy dekada përvojë në institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar profil profesional të veçantë – nga shërbimi diplomatik te proceset kyçe shtetformuese dhe politikat evropiane.
Kasapolli ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Kroaci, ku, sipas Abdixhikut, ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe promovuar interesat strategjike të Kosovës në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.
“Para kësaj, ai ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian – si zëvendësministër dhe më pas ministër në detyrë i Integrimit Evropian”, ka njoftuar Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi se Kasapolli ka qenë figura kyçe në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dokumenti kontraktual më i rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Kasapolli ka shërbyer edhe si këshilltar politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, duke qenë lidhja institucionale me shtetet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian dhe diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave vendimtare të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, para negociatave për pavarësinë e Kosovës.
Sipas Abdixhikut, me ardhjen e Kasapollit, LDK-ja fiton kuadër me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe angazhim të sinqertë për shtetin.
“Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, është sinjal i qartë se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është rruga përpara për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike dhe që kërkojnë ndryshim të vërtetë. Dyert tona janë të hapura”, ka thënë Abdixhiku.
LDK-ja më herët ka njoftuar edhe për aderimin e këngëtares Adelina Thaçi e inxhinierit Ermal Sadiku, para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.