Arbëri

Gërvalla: “Vetëm bashkë me PDK-në”, ky është mesazhi i Abdixhikut

Donika Gërvalla

Foto: Alban Bujari

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për propozimin e tij për qeveri të transicionit.

Gërvalla ka thënë se mesazhi i Abdixhikut ishte se ai do që Partia Demokratike e Kosovës të jetë pjesë e qeverisë.

“Jo pa PDK-në, vetëm bashkë me PDK-në! Ky ishte mesazhi i sotëm i Lumir Abdixhikut, kryetarit të "Lidhjes së Re" dhe ideatorit të "Rrugës së Re". Ja pse votuesi i LDK-së e ka braktisur këtë parti dhe këtë kryetar të përkohshëm”, ka shkruar deputetja Gërvalla në Facebook.

Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion dhe ka propozuar qeveri të transicionit deri në kohën e presidentit.

“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krizë të thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të transicionit”, ka deklaruar ai. 

Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë në momentin e parë që ata duan.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, i ka çuar ftesë Lumir Abdixhikut të LDK-së për takim për të diskutuar për një marrëveshje për bashkëqeverisje.