Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla: Pranimi i Kosovës, në interes të BE-së

Pranimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është në interes të vetë BE-së pasi që do të ruante paqen brenda gjeografisë së BE-së, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për “Newsweek” të martën.

Gërvalla ka thënë se Kosova e përkrah kërkesën e Ukrainës për pranim më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Sipas saj, duhet të ketë një proces të pranimit të shpejtë të zgjerimit dhe jo vetëm për Ukrainën, por për të gjitha shtetet e Ballkanit që janë të përkushtuara për integrim evropian.

“Situata aktuale është shumë komplekse dhe e rrezikshme. Kjo nuk vlen vetëm për situatën në Evropën Lindore dhe Ukrainë, por për më tepër, situatës në përkeqësim në Ballkan. Prandaj po avokojmë për ‘pranim të shpejtë’ jo vetëm për Ukrainën, por edhe Kosovën dhe shtetet tjera të Ballkanit që janë të përkushtuara në të vërtetë për parimet e BE-së. Nuk e bëjmë këtë vetëm për interes tonin, por është edhe në interes të vetë BE-së; është për ruajtjen e paqes brenda gjeografisë së vetë BE-së”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka përsëritur qëndrimin e Kosovë se “BE-ja s’mund të jetë kurrë e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se BE-ja duhet të jetë e hapur për të gjitha shtetet evropiane që janë të përkushtuara në vlerat e BE-së, siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit”.

Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende s’e njohin Kosovën si shtet – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania e Qipro. Pa pasur përkrahjen e të gjithave, Kosova s’mund të pranohet në bllokun evropian. Ende s’ka aplikuar për pranim. Ndërkaq, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Kosova ka shtuar zërin me kërkesën për pranim në NATO. Aty janë katër shtete mosnjohëse – pasi që Qiproja s’është pjesë e aleancës.

Artikuj të ngjashëm