Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gazetari Sylejman Gashi u përkujtua në Prishtinë me mbledhja komemorative

Sulejman Gashi ishte prezent në sallën 1 Tetori. Mirëpo, kësaj radhe jo fizikisht. Arkivoli i tij ishte i rrethuar me lule, qetë i qëndronte fotografia e tij dhe peshonin fjalët përkujtuese e mallëngjyese që vinin nga familjarë, miq, kolegë e krerë të institucioneve në mbledhjen komemorative, shkruan KultPlus.

Në mes të sallës qëndronte arkivoli i tij, ndërkaq përreth tij në njërën anë kishin marrë vendin familjarët e të afërmit e tij, ndërkaq në anën tjetër krerët e institucioneve shtetërore e fetare, kolegë të profesionit të gazetarisë.

Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Jakup Krasniqi, Don Lush Gjergji, Avni Spahiu dhe disa folës të tjerë kishin përzgjedhur fjalët më delikate për të përkujtuar gazetarin i cili hyri në historinë e gazetarisë shqiptare nëpërmjet raportimit të tij, si nga Kosova ashtu edhe jashtë vendit, në kohën kur populli po përjetonte situatë të vështirë. Shkuarja e Gashit në amshim nënkupton humbjen e një gazetari, publicisti e profesionisti të madh të gazetarisë shqiptare.