Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gazetarët: Paketa “antishpifje” është përpjekje për të kapur median online

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar me shumicë votash paketën aq shumë të kundërshtuar “antishpifje”. 80 deputetë kanë dhënë votën pro këtij ligji dhe vetëm 14 kanë votuar kundër, ndërsa 8 kanë abstenuar.

Midis deputetëve që votuan kundër ka qenë edhe pjesëtari i mazhorancës, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ndërsa votat ”pro” kanë dhënë edhe disa prej deputetëve të opozitës së re, shkruan sot Koha Ditore. Deputetët kanë votuar edhe një propozim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit vendimet e Bordit të AMA-s, ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Por seanca plenare e ditës së mërkurë, ku dhe u miratua paketa “antishpifje”, është paraprirë me një protestë të gazetarëve të mediave të ndryshme në Shqipëri me moton "Media kontrollon Qeverinë, jo Qeveria median!".

Me pankarta në duar, ashtu siç ishte paralajmëruar, një pjesë e gazetarëve në Shqipëri u mblodhën paraditen e së mërkurës para Kuvendit për të protestuar kundër paketës “antishpifje", me argumentin se cenon lirinë e shprehjes dhe synon të kontrollojë mediat.

Ndërsa gazetarët protestonin jashtë dyerve të Parlamentit për paketën “antishpifje” të ndërmarrë nga Qeveria, kryeministri Edi Rama i cilësoi mediat si “xhungël skllevërish të pasiguruar”. Sipas Ramës, paketa rregullon tregun mediatik me qëllimin e vetëm që të mos shkelen të drejtat themelore të njeriut dhe të kenë një dritare ku të ankohen. Ndërkohë që gazetarët protestues thanë se do të vijojnë protestat deri në rrëzimin e dy ligjeve.

“Qeveria të dëgjojë këshillën e Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian. Nuk mund të ketë rregullim për median online nga shteti. E vetmja hapësirë janë televizionet. Shteti nuk mund të rregullojë online të gjitha çështjet që zgjidhen në rrugë gjyqësore. Qeveria kërkon të krijojë një regjim që është jo në përputhje me standardet e lirisë së shprehjes. Do të vijojmë deri në rrëzimin e dy ligjeve. Deputetët kanë në dorë nëse do të deklarojnë se janë forcë antievropiane apo pro evropiane. Ky është ligj i vdekur që në lindje. Në botën demokratike nuk mund të ketë polic dhe as regjistër për median”, tha para protestuesve gazetari Gjergj Erebara.

Edhe aktori i njohur Mirush Kabashi iu bashkua gazetarëve në protestë. "Është një nga ato gjërat e pakta që kemi fituar. Të themi mendimin ndryshe", thotë Kabashi. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)