Arbëri

Gati gjysma e shtretërve janë zënë, SHSKUK-ja nuk ka remdesivir për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Brenda pak ditësh është dyfishuar numri i të hospitalizuarve me COVID 19 në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës si pasojë e rritjes se rasteve pozitive.

Rritja e shpejtë e rasteve mund të çojë në shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese në spitalet publike.

1.150 shtretër janë kapacitetet aktuale të ShSKUK-së. Deri tani rreth 500 prej tyre janë zënë.

Drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi ka thënë se në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë po bëhet përpjekje që të rriten këto kapacitete. Ka gjasë që shtretër për pacientët me COVID 19 të bëhen edhe jashtë spitaleve publike.

“Duhet potencuar faktin që gjatë javës ka pasur një rritje enorm të numrit të rasteve që janë spitalizuar. Për shembull sot ne kemi 466 pacientë të hospitalizuar në shtatë spitale dhe klinikat e QKUK-së. Pra vërehet një rritje alarmante”, tha Krasniqi.

Remdesiviri është një bar i kushtueshëm, i cili përdoret për trajtimin e pacientëve me COVID 19. Ndonëse mjekët e rekomandojnë, ShSKUK-ja nuk e ka në dispozicion. Për me tepër vlera e tij ende nuk është e kostuar e as nuk kanë filluar procedurat për kontraktimin e tij. Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë pritet të ndodhë qysh nga e mërkura.

“Pritet nëse nuk gabohem që brenda ditëve shumë shpejtë, pasi nesër përfundon kostimi dhe nesër pritet që të aprovohet në Qeveri për blerjen e barnave që janë të paraparë në udhërrëfyesit e protokolleve klinike. Shumicën e barnave ato që janë me bazike i kemi në përjashtim të Remdesivirit”, tha Krasniqi.

Koha për këtë çështje e ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndonëse numri i rasteve me COVID po rritet, ka rritje edhe të numrit të qytetarëve të vaksinuar.

Krasniqi nga ShSKUK-ja ka thënë se shumica e pacientëve të hospitalizuar janë të pavaksinuar. Sipas tij, për 6 javë kanë trajtuar 423 pacientë, e që, sipas tij, vetëm 39 kanë qenë të vaksinuar, 27 me dozën e parë e 12 me dozën e dytë.