Ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi, sheh një dorë të Rusisë në tentimet e mbrëmshme për përhapje të dezinformatave e sulmet kibernetike.
Gashi ka thënë se synimi ka qenë të përshkallëzohet situata në një nivel që të dalë jashtë kontrollit.
“Kishte dorë të Rusisë sidomos në përpjekjet në rrafshin mediatik për të krijuar situatë të tensionuar nga e cila do të reflektonin zhvillimet e pakontrolluara. Po ashtu ishin tentimet e sulmeve kibernetike në ASHI dhe institucione tjera të sigurisë. Fatmirësisht kësaj radhe institucionet e sigurisë ishin të përgatitura. Nuk patën sukses për ta penguar funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi në Interaktiv të KTV-së.
Gashi ka thënë se skenari që ka ndodhur mbrëmë ishte i përgatitur.
“Ju kujtohet paraqitja e Radojçiqit në Kosovë me ato fotografi të publikuara në rrjete sociale. Në këtë drejtim u dëshmua se të gjitha zhvillimet në Kosovë, në atë pjesë të Kosovës janë të koordinuara drejtpërdrejtë nga presidenti serb Vuçiq”, tha Gashi.