Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani, me deklaratat e dhëna në konferencën për media të mbajtur të enjten lidhur me veprime destabilizuese të Serbisë, e kanë thelluar mospërmbushjen e përgjegjësisë dhe rolit kushtetues që ka ajo si presidente.
Sipas tij nëse Osmani ka pasur informata për veprime të tilla do të duhej të ftonte mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
“Kjo ishte përpjekje për të sqaruar dhe përmbushur premtimin që e dha për deklaratën në New-York dhe komentet e Grenllit rreth asaj deklarate për deklarimet e presidentit Trump. Kjo realisht nuk ishte ndonjë sqarim, përkundrazi edhe me tepër e thelloi mospërmbushjen e përgjegjësisë dhe rolit që e ka ajo si presidente, për faktin se nëse ajo ka pasur informacione të asaj natyre, Kushtetuta, përkatësisht neni 84 pika 27 e obligon që të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të harmonizoje dhe koordinojë veprimet dhe qëndrimet rreth përpjekjeve të Serbisë për destabilizimin e Kosovës”, është shprehur Gashi në emisionin “60 Minuta” më KTV.
“Asnjë nga këto veprime nuk janë ndërmarrë dhe kjo deklaratë shpjeguese që dha në konferencë për shtyp, nuk u përmbush me detyrimet e saj për të dhënë shpjegime shtesë rreth informacioneve që ajo ka pasur në dispozicion”, ka shtuar Gashi.
Ai ka thënë se deklaratat e Osmanit kanë shfaqur një realitet të mungesës së koordinimit ndërinstitucional.
“Kjo ishte më tepër një sqarim i profesoreshës para një auditoriumi të universitetit e jo shpjegim i përgjegjësisë institucionale të presidentes. Më tepër ka krijuar konfuzione dhe ka shpërfaqur një realitet në të cilin jemi sot, mungesë të koordinimit ndërinstitucional të institucioneve të larta të shtetit. Kryeministri ka deklaruar se nuk posedon informacione të tilla, zyrt6arë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovës kanë deklaruar gjithashtu se nuk kanë informata të tilla për shkallën e rrezikshmërisë dhe gatishmërinë e Serbisë për të sulmuar Kosovën dhe për efekt të gjitha këto shkojnë në disfavor të kësaj deklarate dhe shpërfaqin një realitet të mosharmonizimit dhe moskoordinimit institucional”, është shprehur Gashi.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në fund të muajit maj ndaj Kosovës janë kryer veprime me tendencë përshkallëzuese nga Serbia.
Tek ka folur në një konferencë shtypi të enjten, Osmani ka deklaruar se veprimet e fundmajit kanë qenë të ngjashme me ato që janë ndërmarrë para sulmit terrorist të 2023-tës në Banjskë, kur është vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Lidhur me këto veprime Osmani ka folur javën e shkuar gjatë vizitës së saj në Washington, prej ku i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pati thënë në dy raste ka ndikuar në ndaljen e luftës mes Kosovës dhe Serbisë.
Por të enjten presidentja Osmani nuk ka pranuar që të ndajë më shumë hollësi lidhur me veprimet që i ka përmendur, teksa ka thënë se një pjesë e informacioneve janë konfidenciale, porse janë ndarë me aleatët ndërkombëtarë për ta ndalur përshkallëzimin e situatës së sigurisë.