Arbëri

Gashi: Kosova e reduktuar në diplomaci, pak suksese sivjet

Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi, tha se edhe sivjet, diplomacia kosovare ka reduktuar punën vetëm me dialogun me Serbinë.

Ai tha të enjten në DESKU-n e KTV-së se gjatë 2022-s nuk janë parë aktivitete të shtuara diplomatike, pos dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe në Këshill të Evropës.

“Ne nuk e dimë në ç’fazë apo kur Kosova futet në rend të ditës. Mbetet të shihet për vitin e ardhshëm se a do të ketë zhvillime. Nuk e dimë nëse Kosova ka marrë mbështetje të shteteve anëtare apo të atyre që e kanë njohur Kosovën për të votuar pro saj. Një prej shteteve më të fuqishme, Franca, e pati lidhur çështjen e anëtarësimit të Kosovës me dialogun. Nëse ka tensione, nuk besoj se Evropa do t'i shtyjë përpara kërkesat për aplikime”, tha Gashi.

Sipas gazetarit të KTV-së, mungesa e njohjeve është çështje tjetër që Kosova e pati si sukses të keq gjatë vitit që po lëmë pas.

“S'ka pasur asnjë njohje por nuk dimë se cili është lobimi apo angazhimi i Qeverisë sa i përket shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata të tjera. Aplikimi ishte kryesori i vitit, por me këto zhvillime, ishte ndoshta më i miri. Kosova e rikonfirmon qasjen e saj pro-evropiane. Anëtarësimi në BE është rrugë e gjatë...Rruga drejt anëtarësimit lidhet me çështjen e dialogut apo të normalizimit të raporteve me Serbinë”, shtoi ai.

Caktimi i datës finale për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, sipas Gashit, është lajm i mirë, por i vonuar shumë.

“Kjo është dashur të kryhej në 2014-2015. Është lajm i mirë sepse liberalizimi ka një datë dhe e lehtëson jetesën e qytetarëve. Mund të llogaritet jo si një sukses, por diçka pozitive që është dashur të kryhet më herët. Çdo zhvillim tjetër diplomati do të ishte i ndërlidhur me raportet dhe zhvillimet”.