Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: Ka arritur ekspertiza shtesë për rastin “Dehari”

Avokati Tomë Gashi ka thënë se ka arritur ekspertizë shtesë në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ekspertiza e shtatorit të 2019-ës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër ka eliminuar hipotezën e vetëvrasjes së Deharit.

Duke cituar ekspertizën, Gashi ka shkruar “Hipoteza e vetëvrasjes së z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjor nuk duket e vërtetë. Për këtë arsye rrethanat e vdekjes së z.Dehari Astrit janë, sipas mendimit tonë, të përfshira në një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal”.

Gashi ka shkruar se gjuha e përdorur nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Zvicrës është gjuhë shkencore dhe jo mjekësore.

“Në aspektin juridiko-penal është konfirmim i vrasjes. Ne ende nuk e dimë se çfarë është shkruar në ekspertizën shtesë të cilën e kemi pritur që nga tetori i vitit 2020, por jemi të sigurt se ekspertiza shtesë do ta konfirmojë ekspertizën e shtatorit të vitit 2019. Për ta vërtetuar ata që të gjithë e dinin që Astrit Dehari është vrarë më 5.11.2016 në qendrën e paraburgimit në Prizren, u deshën 1978 ditë, 65 muaj dhe 5 vite e 4 muaj që Aleksandër Lumezi apo Blerim Isufaj të nxjerrin aktvendim për zhvillim të hetimeve për vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari i cili u vra për arsye politike dhe që të fillohet me arrestimin e vrasësve, shtytësve në vrasje, dhe atyre që e fshehën vrasjen deri në ditën e sotme”, ka shkruar.

Artikuj të ngjashëm