Arbëri

Gashi i gatshëm të përballet në gjykatë me Bektashin

Foto: Koha / ilustrim

Drejtori ekzekutiv i organizatës “ADMOVERE”, Shkëlzen Gashi, ka thënë se janë të gatshëm të përballen në gjyq me profesorin e Juridikut, Mejdi Bektashi, që dje njoftoi se ka paditur Gashin dhe Luan Shllakut tç KFOS-it për raportin e publikuar së fundmi me titullin “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e student-hapësirë”.

Bektashi padit Gashin dhe Shllakun për raportin e “plagjiaturave në UP”

Përmes publikimit të një vendimi të Senatit të UP-së, i cili konsideronte se vepra e Bektashit “Ekonomia” nuk është plagjiat, Bektashi kërkoi 250 mijë euro nga Gashi dhe Shllaku.

Kësaj padie, i është përgjigjur me një reagim organizata “ADMOVERE”, që ka përsëritur se po të ishte i publikuar vendimi i senatit nga gazeta ku e morën raportimin për plagjiat, do ta publikonin edhe në raportin e organizatës.

Ky është reagimi i plotë i “ADMOVERE”-s:

REAGIM

(kundër padisë për shpifje të Mejdi Bektashit ndaj organizatës ADMOVERE)

Një prej qëllimeve të raportit «STAFI AKADEMIK I UP-SË - studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë», të botuar nga organizata ADMOVERE ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Rasti i parë i publikuar në media ishte ai i profesorit të Fakultetit të Filozofisë, Ali Dida, në vitin 1985, e rastet e fundit ishin të vitit 2016, i profesoreshës Drita Konxheli nga Fakulteti i Ekonomisë dhe i profesorit Selim Bezeraj nga Fakulteti i Filozofisë (raporti mund të gjendet në këtë link: http://admovere.org/stafi-akademik-i-up-se/).

Një prej arsyeve pse vendosëm t’i përmbledhim e t’i botojmë këto raste të raportuara në media ishte edhe fakti se prej 13 dekanëve të fakulteteve të UP-së, 10 që pranuan të intervistoheshin për raportin tonë, që të gjithë u përgjigjën se nuk dinin për ndonjë rast të plagjiaturës të pjesëtarëve të stafit akademik të fakultetit që drejtojnë. Ndërkaq, nga 40 pjesëtarë të stafit akademik që intervistuam, 34 na thanë se nuk dinë dhe/ose nuk besojnë të ketë pas ndonjë rast plagjiature.

Nga gjithsej 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas. Për më tej, shumë prej plagjiatorëve edhe janë avancuar.

Një prej profesorëve për të cilin ishte raportuar në media për plagjiaturë ishte edhe Mejdi Bektashi. Rasti i tij është prezantuar si vijon në raportin tonë:

«RASTI: MEJDI BEKTASHI

Më 4 shkurt 2007 Gazeta «Express» boton një artikull me titull «Shumë plagjiaturë» për librin «Ekonomia» të autorëve Mejdi Bektashi e Nysret Gacaferri. Në shkrim thuhet se «pjesa më e madhe e këtij libri është shkruar duke vjedhur» nga libri i autorëve të njohur botërorë Paul Samuelson dhe William Nordhaus, i botuar 14 herë në gjuhën kroate me titull «Ekonomija». Shkrimi madje citon paragrafë të tërë të vjedhur e të përkthyer me shumë gabime. Autorët nuk kanë reaguar ndonjëherë ndaj këtyre akuzave. Ndërsa Gacaferri është pensionuar shumë vjet para se të zbulohej plagjiatura, Bektashi jo veç që vazhdon me qenë profesor në Juridik, por madje është avancuar.».

Për këtë prezentim, dje, më 1 tetor 2018, Mejdi Bektashi kishte ngritur ndaj organizatës tonë një padi për shpifje. Nëse Bektashi e mohon plagjiaturën, shtrohet pyetja pse nuk ngriti padi ndaj gazetës «Express» për artikullin me titull «Shumë plagjiaturë», të botuar më 4 shkurt 2007, në të cilin citohen paragrafë që Bektashi e Gacaferri kanë vjedhur nga Samuelson e Nardhaus, por po ngritë padi ndaj nesh si organizatë, që vetëm po e ri-sjellim në vëmendje të opinionit publik raportimin e këtij rasti.

Ç’është e vërteta, në padinë e tij Bektashi e bashkëngjet një vendim të Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, të datës 10 maj 2007, i cili thotë se libri i Bektashit e Gacaferrit nuk është plagjiat. Po ta gjenim këtë vendim të publikuar në gazetën që e ka akuzuar Bektashin për plagjiaturë, do ta citonim në raportin tonë te prezentimi i plagjiaturës së Bektashit, mirëpo këtë vendim nuk e kemi gjetur në këtë gazetë.

Për hirë të vërtetës, duhet thënë se vendimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës, të datës 10 maj 2007, thotë se libri i Bektashit e Gacaferrit nuk është plagjiat në kuptim të vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës nr. 112, datë 12 janar 2007 mbi mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është ky vendimi që thotë se vetëm librat e vjedhur mbi 70% nga i njëjti libër, konsiderohen plagjiaturë. Ky është legalizim i plagjiaturës. Përkundër kësaj, Bektashi, por edhe ata për të cilët është raportuar në media se kanë bërë plagjiaturë, qoftë edhe nën 70% nga i njëjti libër, duhet ta kenë parasysh se:

- «Kodi i Etikës i Stafit Akademik të Universitetit të Prishtinës» në nenin 10 e konsideron të papranueshme shkeljen e standardeve të ndershmërisë intelektuale, që do të thotë keqpërdorimin e qëllimshëm të shkrimeve, hulumtimeve dhe gjetjeve të të tjerëve.

- «Rregullorja për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës» në nenin 6, pika 1.5 dhe 1.15 thotë se shkelje të rënda konsiderohen, veç të tjerash, edhe manipulimi i punës shkencore dhe shkelja e rëndë e të drejtës së autorit dhe e etikës në publikimet shkencore. Neni 8 i kësaj Rregulloreje, Masat për Shkeljet Disiplinore, pika 1.9 dhe 1.10 për shkeljet e rënda, parasheh mes tjerash revokim të gradës shkencore dhe ndërprerje të marrëdhënies së punës.

- «Statuti i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’» në nenin 130, paragrafi 1, alinea 4, përcakton se titulli akademik Doktor Shkence mund të revokohet në rast të dëshmisë se disertacioni i doktoraturës është plagjiaturë ose shkelje e të drejtës së autorit. Më tej, neni 134, paragrafi 2, alinea 2, përcakton se Senati me arsye dhe me argumente të forta, si dhe me rekomandim të rektorit, mund t’ia heqë titullin akademik bartësit në rast se dëshmon plagjiaturën ose shkeljen e të drejtës së autorit në përgatitjen e diplomës ose të ndonjë punimi tjetër me shkrim.

- «Kodi Penal i Republikës së Kosovës» në nenin 296 mbi Cenimin e të Drejtave të Autorit, pika 1, specifikon se kushdo që nën emrin e vet ose të dikujt tjetër, i kumton publikut punën e dikujt tjetër, të mbrojtur me të drejtat e autorit, në tërësi apo pjesërisht, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. Më tej, pika 6 e këtij neni thotë se nëse gjatë kryerjes së veprës penale, kryesi ka përfituar prej 10.000 deri më 50.000 € dënohet me gjobë dhe me burgim prej 3 muaj deri në 5 vjet, e nëse fiton më shumë se 50.000 € dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 8 vjet.

Duke marrë parasysh këto që u thanë më sipër, ne jemi të gatshëm që të ballafaqohemi në gjykatë.

2 tetor 2018 Sinqerisht,

Prishtinë Shkëlzen Gashi

drejtor ekzekutiv