Udhëheqësi i Zyrës në Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit, Kushtrim Gara, ka thënë se mungesa e gatishmërisë së palës serbe për të qenë më bashkëpunues dhe mos-hapja e arkivave ish-jugosllavë ka bërë që të mungojnë rezultatet për të pagjeturit.
Ai ka thënë se hapja e arkivave do të sillte më shumë rezultate në gjetjen e varrezave masive.
“Sigurisht po, meqë varrezat që janë hap deri tani në serbi, të gjitha krimet në Kosovë janë kryer nga institucione të shtetit të asaj kohe pra ish-Jugosllavisë dhe pashmangshëm që hapja e arkivave do sillte më shumë rezultate në këtë proces”, ka thënë ai.
Gara ka thënë se presin që të jenë në koordinim dhe të kenë përkrahjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e lokacioneve me varreza masive.
“Qeveria serbe duhet të reflektojë dhe ne presim të jemi në koordinim dhe të kemi përkrahjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare, meqë përvoja e deritanishme ka treguar se vetëm me një koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, ne mund të kemi më shumë rezultate në kuptimin e hapjes së lokacioneve në territorin e Republikës së Serbisë”, ka shtuar Gara.
Edhe
Gara: Vetëm presioni ndërkombëtar mund të kontribuojë në zgjidhjen e rasteve të të zhdukurve
Ndërkohë duke folur për kërkesën e Qeverisë së Kosovës për heqjen e Vlejko Odalloviqit nga kryesimi i delegacionit serb për Personat e Zhdukur, Gara ka thënë se zvarritjet lidhur me kërkimet në lokacionet e dyshuara për varreza masive, kanë nisur edhe para tij.
Sipas tij, arsyetimet e zvarritjeve nga ana e Serbisë lidhur me varrezat janë të ndryshme, dhe një nga ato është edhe përpjekja për të bartur problemet nga një problem politik ose përmbajtjesor në problem të natyrës teknike.