Arbëri

GAP: VV-ja sikur ish-qeveritë po i favorizon komunat e veta

Blendi Hasaj nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka deklaruar se është praktikë e keqe shpërndarja joproporcionale e investimeve kapitale nga institucionet qendrore nëpër komuna, duke favorizuar ato komuna që udhëhiqen nga partia e cila udhëheq me nivelin qendror. Ai ka thënë të enjten në Interaktiv të KTV-së se në të kaluarën edhe Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë praktikë, ndërsa tash në qeverisje, sipas Hasajt, po e vazhdon të njëjtin avaz.

“23 milionë euro janë investime direkte të institucioneve qendrore në komuna dhe pjesa më e madhe e koncentruar te tri komuna që janë të udhëhequra nga LVV-ja. Ne kemi bërë vetëm interpretim të fakteve, këto janë marrë nga projektbuxheti 2023. Praktikë e keqe e shpërndarjes joproporcionale tek investimet kapitale nga qendra. Edhe vetë Vetëvendosja nëse sheh programin e saj qeveritar, e ka një pikë ku thuhet ‘prej keqpërdorimit të buxhetit e trajtimit të pabarabartë, do të kalojmë te granti i katërt’. Ideja ka qenë e mirë, të hiqet ky diskrecioni që të investohet në komuna”, ka deklaruar Hasaj që e ka quajtur të pakuptimtë reagimin e Vetëvendosjes pas publikimit të raportit.

Ai ka thënë se komunat përfitojnë afro 51 milionë euro për investime kapitale, ndërsa shpërndarja e buxhetit nga komuna që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, dallon nga komunat tjera.

“Edhe VV-ja ka dashur ta ndërrojë këtë qasje. Një qeveri e re ka vetëm 51 milionë euro. Prishtina ka vetëm 9 për qind të investimeve nga buxheti. Komunat e tjera nga 70 për qind. Kjo ka të bëjë edhe me planifikimin dhe efikasitetin e grupeve”, është shpreh ai.

Drejtori i GAP-it ka theksuar se Qeveria Kurti s’e ka pasur shansin që të hartojë buxhetin ku do t’i paraqiste politikat e saja zhvillimore.

“Në 2020-n ishte pandemia, e në 2021-n inflacioni dhe kriza energjetike. Në këto tri vjet, Qeveria është dashur të ndajë pako emergjente. Kjo Qeveri nuk është futur me mundësi të barabarta, me të cilat mund të kishim pyetje. Ndihma, siç propozon FMN-ja, është ndarë bazuar në kritere. Ka qenë jogjithëpërfshirëse. Mënyra si ka ndërhyrë Qeveria ka qenë nacionale, duke iu ndihmuar vetëm atyre që kanë qenë të goditur nga kriza. Qeveria ka tentuar t’i shtyjë disa politika sociale si programin për shtesat për fëmijë. E vërejmë që ka më shumë rritje të shpenzimeve rrjedhëse, se kapitale. Edhe gjatë këtij dimri mund të përballemi me një krizë”, ka thënë Hasaj.


Hasaj për tërheqjen e Trustit: Mbi 48% e qytetarëve do të merrnin vetëm 96 euro

Drejtori ekzekutiv i Institutit “GAP”, Blendi Hasaj, ka thënë se Trusti është një nga shtyllat më të rëndësishme të vendit dhe se pavarësisht situatës ekonomike, ai nuk guxon të preket.

Hasaj ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se pavarësisht se tashmë ekziston një precedent në këtë drejtim, analizat tregojnë se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk i ka ndihmuar shumë njerëzit më në nevojë.

“Trusti është një nga ato institucione që i kemi ndërtuar tash e sa vite dhe synimin e kanë që kur qytetarët të dalin në pension ta kenë një jetë më të dinjitetshme. Është një nga shtyllat e rëndësishme që pavarësisht situatës ekonomike në vend, nuk guxon të preket. Kemi një precedentë mirëpo nëse analizohet e vërejmë se personat që kanë më shumë nevojë për ndihmë në kohën kur kemi rritje të çmimeve, ata marrin më së paku”, ka thënë Hasaj.

Sipas tij, edhe po të tërhiqej Trusti sërish, sipas analizave, 48,9 për qind e qytetarëve do të përfitonin vetëm 96 euro.

“Pra ndikimi do të ishte minimal. Ka forma tjera përmes pakove që Qeveria mund të ndërhyjë ata mirëpo jo që të preken disa shtylla kyç të shtetit”, ka thënë Hasaj.