Arbëri

Fushë-Kosova në balotazh edhe pas numërimit të votave nga diaspora

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë-Kosovë ka marrë 49 vota, nga 80 sa ishin nga diaspora për këtë komunë. Kjo bën që Fushë- Kosova të shkojë në balotazh edhe pas numërimit të votave me postë.

Kjo u bë e ditur pas numërimit të fletëvotimeve me postë për këtë komunë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas numërimit, VV-ja në Fushë-Kosovë ka marrë 49 vota, LDK-ja 13, PDK-ja 11 ndërkaq AAK-ja 2 dhe 5 për asamblistë të NISMA-s.

Në këtë komunë ishin në pyetje vetëm 8 vota, për të përcaktuar nëse shkon në balotazh apo fiton kandidati i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Burim Berisha. Megjithat mbeten të numërohen edhe votat me kusht për tu kuptuar nëse Fushë-Kosova përfundimisht shkon në balotazh apo jo.

KQZ-ja gjatë ditës së shtunë, me 7 vota për dhe 2 abstenime, ka votuar rekomandimin e Qendrës për Numërim dhe Rezultate për ngritjen e tolerancës në 22 për vendvotimin 0906E/O1D në Fushë-Kosovë, për të cilin një ditë më parë KQZ-ja kishte vendosur që ta dërgonte në rinumërim.

Për rastin e vendvotimit në Fushë-Kosovë, Sekretariati ka rekomanduar që vendvotimi të procedohet si i rregull me rritje të nivel të tolerancës në 22 dhe rezultatet e këtij vendvotimi të përfshihen në rezultatet përfundimtare. Miratimi i rekomandimit nënkupton përfshirjen e 22 fletëvotimeve nga ky vendvotim në rezultatin përfundimtar.

Mirëpo, këtë e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e VV-së në KQZ, në veçanti Sami Kurteshi, i cili gjatë mbledhjes i ka akuzuar PDK-në e LDK-në se kanë bërë përpjekje për vjedhje industriale të votave.

Shkuarja apo jo e Fushë-Kosovës në balotazh përcaktohet nga një numër shumë i vogël i votave. Numërimi i secilës votë i konvenon LDK-së e cila ka 49.96 për qind të votave, derisa LVV-ja ka 25.33 për qind.

Image
Pamje gjatë numërimit të fletëvotimeve nga diaspora për Fushë - Kosovën në QNR