Arbëri

Votat me kusht përcaktojnë nëse Fushë-Kosova do të shkojë në balotazh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar votat me postë për kryetarë dhe asamble të komunave. Numri i votave me postë ishte 9.610. Ndërkohë të hënën do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta. Pasi të përfundojë edhe ky proces, pritet që të bëhet edhe certifikimi i zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë edhe pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë monitoruar numërimin e çdo vote me postë për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës.

80 votat me postë dhe rreth 200 të tjera me kusht që do të numërohen të hënën, do të përcaktojnë nëse edhe kjo komunë do t’iu bashkohet 20 komunave të tjera për raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e kryetarit. Kjo pasi kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Burim Berisha, ka 49.96 për qind të votave, i pasuar nga kandidati i LVV-së me 25.33 për qind dhe ai i PDK-së me 22.39 për qind.

Votat e diasporës, të numëruara të dielën, nuk ndryshuan shumë rezultatin, pasi nga 80 sosh, 13 ishin për LDK-së, 49 për VV-në dhe 11 për PDK-në.

Numërimi i 9 mijë e 610 votave të arritura me postë për të gjitha komunat e Kosovës që ka përfunduar të dielën mund të ndryshojë numrin e votave të kandidatëve për kryetarë të komunave të tjera, por jo edhe të determinojë nëse do të ketë balotazh apo jo.

E certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, pritet të bëhet pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“KQZ-ja do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetar të komunave, pas numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat planifikojmë që të bëhen gjatë ditës së nesërme, si dhe pasi të marrin konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme. Sa i përket votimit jashtë vendit në raundin e dytë pas zgjedhjeve për kryetarë të komunave vlen e njëjta liste votuese”, ka thënë ai.

Votat nga diaspora kanë arritur në periudhën 15 shtator - 15 tetor.

“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë (168)”, ka bërë të ditur Elezi.

Partitë politike kanë ngritur edhe dyshime për parregullsi. Aleanca Kosova e Re ka kërkuar rinumërim të plotë të vendvotimeve në Prishtinë.

Gëzim Mehmeti, i cili garoi në zgjedhjet e fundit komunale për kryetar të Prishtinës, tha se disa individëve u është abuzuar vota.

“Qytetarët kanë treguar një kulturë të lartë të zgjedhjeve e edhe KQZ-ja, mirëpo ka disa individë që kanë abuzuar me këto zgjedhje dhe AKR-ja është dëmtuar me 1 deri 2%. Ne kemi prova dhe, edhe pse nuk janë rezultatet preliminare, po jua jap disa shembuj ku është abuzuar me votat e partisë tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërkesë kryesore është që të ketë rinumërim të të gjitha vendvotimeve.

“Kërkesa jonë është që në Prishtinë te të gjitha vendvotimet të shkohet në rinumërim duke pasur parasysh provat që kemi. Ne si subjekt politik do të paraqesim provat tona në PZAP, por edhe ankesa individuale. AKR-ja pra kërkon rinumërim të votave në të gjitha vendvotimet”, ka pohuar Mehmeti.

Nga KQZ-ja kanë thënë se të dielën ka filluar hetimi i 10 për qind të vendvotimeve në çdo komunë.

“Këto vendvotime që do të hetohen e që në total janë 255 vendvotime, janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullsi. Hetimi i tyre ka për qëllim që të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimit ka bartur në mënyrë të saktë rezultatin/votat nga fleta llogaritëse e kandidatëve në formularin e rezultatit të kandidatëve”, ka thënë Elezi.

Pak ditë më parë për shkak të dyshimeve për presion ndaj qytetarëve janë anuluar zgjedhjet për kryetar të Hanit të Elezit. Procesi do të përsëritet.

Nga numërimi i votave kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, ka fituar në këtë komunë pa balotazh, por që pritet vendimi i Supremes nëse do të vërtetohet vendimi i PZAP-së për anulim të zgjedhjeve në këtë komunë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet për rastin.

Raundi i dytë i votimit për kryetarë të komunave pritet të mbahet më 14 nëntor. Fushata për balotazh do të jetë pesë ditë dhe fillon më 8 e mbaron më 12 nëntor.

Në vitin 2017 KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe 3 ditë të tjera për t’i certifikuar ato.