Arbëri

Fushatën e Vuçiqit kundër Kosovës, Stano e cilëson “koment”

Fushatën kundër Kosovës, të cilën e ka intensifikuar ditëve të fundit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, e ka cilësuar si “koment”.

Stano në një përgjigje ndaj pyetjeve të KOHËS për deklarimet lobuese të Vuçiqit kundër Kosovës, që i bëri në Hungari e Athinë, që janë në kundërshtim me Marrëveshjen Bazë, ka thënë se “rregull të përgjithshëm e kanë të mos komentojnë mbi komente”.

“Si rregull e përgjithshëm ne nuk komentojmë mbi komentet. Ne e kemi bërë mjaft të qartë qëndrimin tonë gjatë ditëve e javëve të fundit dhe nuk ka asgjë të re që duam të shtojmë në këtë fazë”, ka thënë Stano.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, disa ditë më parë në një takim në Hungari me liderin hungarez Viktor Orban, la të kuptohet se nuk do të ketë marrëdhënie të mira me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Dhe i dha përkrahje deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq, që tha se “Mali i Zi e Maqedonia e Veriut kanë gabuar që kanë njohur Kosovën, dhe se do t’u bie kjo në kokë, siç po i godet në Ukrainë ata që promovuan pavarësinë e Kosovës”.

Të hënën e të martën në Athinë, Vuçiq bisedoi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky si dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, “për çështjen e Kosovës”. Ai tha pas takimeve se Ukraina e Greqia nuk do ta ndërrojnë qëndrimin e tyre karshi Kosovës. Këto dy shtete nuk e njohin Kosovën.

Vuçiqi edhe të mërkurën në një konferencë për media tha se ishin takime mjaft me rëndësi ato në Athinë.

“Gjithçka është e vështirë për ne, në kushte shumë të vështira arritëm të fitonim atë që është e rëndësishme për Serbinë. Ishin katër shtete, dy nga BE-ja dhe Ukraina, të cilat janë nën presion që ta njohin Kosovën. Për ne aty ishin diskutime kyçe. Unë po kërkojë të nxjerri më të mirën për Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Stano ndërkohë për KOHËN ka thënë se është esenciale që palët t’i kthehen dialogut dhe të implementojnë shpejtë Marrëveshjen bazë pa vonesa të mëtutjeshme.

“Ka një pritje të qartë nga ana e BE-së nga palët që të marrin hapa shumë mirë të përcaktuar për depërshkallëzim. Është esenciale që dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë, dhe implementimi i shpejt i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit, të vazhdojnë pa vonesa të mëtutjeshme”, ka thënë Stano.