Arbëri

Funksionalizohet Ambulanca e Mjekësisë Familjare në Dumnicë

Përurohet Ambulanca e Mjekësisë Familjare në Dumnicë

Ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Dumnicë të Podujevës ka rifilluar punën që nga dita e martë.

Banorët e katër fshatrave, Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme, Llaushë e Epërme dhe Llaushë e Poshtme kishin mbetur pa shërbime shëndetësore për një vit e gjysmë, prejse ishte rrënuar objekti i vjetër.

Ndërkohë që, edhe pse ishte ndërtuar objekti i ri, për shkak të mungesës së personelit shëndetësor, ai nuk ishte funksionalizuar.

Sipas një njoftimi të Zyrës për informim të Komunës së Podujevës, të martën është bërë përurimi i saj.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i ka thënë KOHËS se në këtë ambulancë mjeku familjar do të jetë prezent dy herë në javë, ndërsa infermierja do të punojë çdo ditë aty.

KOHA ka raportuar në muajin mars për vonesën e funksionalizimit të kësaj AMF-je. Banorët ishin ankuar se për çfarëdo shërbimi shëndetësorë, ata detyroheshin që shkonin në QKMF-në në qytet.

“Qe një vit e gjysmë u rrënua objekti i vjetër, u ndërtua objekti i ri. Qe një vit e gjysmë na as nuk kemi mjek, as nuk kemi motër, as nuk kemi shërbime. Jemi katër fshatra, Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme edhe dy Llausha, e Epërmja edhe e Poshtmja. Këtu nuk funksionon, po thonë shkaku i mjekëve, s’ka staf mjekësor, dhe s’ka as inventar. Janë këto mure edhe kurrgjë tjetër”, ishte shprehur, Kadri Aliu, përfaqësues i fshatit Dumnicë e Poshtme.

Edhe Xhavit Salihu nga fshati Llaushë kishte thënë se në këtë pjesë ka banorë mjaftueshëm për ta funksionalizuar këtë objekt shëndetësor.