Prejse është rrënuar objekti i vjetër i ambulancës, banorët e katër fshatrave të Komunës së Podujevës kanë mbetur pa shërbime shëndetësore. Edhe pse është ndërtuar objekti i ri, banorët detyrohen që për çdo shërbim shëndetësor të shkojnë në Podujevë
Podujevë, 6 mars - Pa shërbime shëndetësore kanë mbetur banorët e katër fshatrave të Komunës së Podujevës, prejse është rrënuar objekti i vjetër i ambulancës në Dumnicë të Poshtme.
Edhe pse ka kohë që është ndërtuar objekti i ri i ambulancës, banorët e katër fshatrave detyrohen të shkojnë në qytetin e Podujevës për të marrë çfarëdo shërbimi shëndetësor.
Përfaqësuesi i fshatit Dumnicë e Poshtme, Kadri Aliu, thotë se ambulanca në këtë fshat kishte funksionuar para dhe pas luftës, derisa ishte rrënuar objekti i vjetër.
“Qe një vit e gjysmë na as nuk kemi mjek, as nuk kemi motër, as nuk kemi shërbime kurrfare. Jemi katër fshatra, Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme edhe dy Llausha, e Epërmja edhe e Poshtmja. Këtu nuk funksionon, po thonë shkaku i mjekëve, s’ka staf mjekësor dhe s’ka as inventar”, ka deklaruar Kadri Aliu, përfaqësues i fshatit Dumnicë e Poshtme.
Banori i fshatit Llaushë, Xhavit Salihu, thotë se ka 15 muaj që janë pa shërbime.
“Përpara i kemi marrë shërbimet në fshatin këtu afër kësaj ambulance, po tash po duhet me shku në Podujevë, në Prishtinë, kurse kemi mund me i marrë këtu”, tha ai.
Banorët thonë se nëse nuk është e mundshme që mjeku të vijë çdo ditë, sipas tyre, të paktën çdo të dytën ditë do të ishte një lehtësim për ta.
Ndërkohë, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Podujevës, Driton Veliu, ka thënë se kur kanë ardhur në pushtet e kanë gjetur objektin e ri të AMF-së pa inventar.
“Ne me ardhjen në qeverisje i kemi marrë të gjitha masat që ta inventarizojmë. Mirëpo, në ndërkohë ne kemi hasur edhe në probleme për rekrutimin e personelit shëndetësor, konkretisht për mjek. Meqenëse epidemia ishte e vazhdueshme, neve na është dashtë që shumë ambulanca periferike nëpër fshatra t’i mbyllim për t’i mbuluar shërbimet e anti-COVID-it”, tha Veliu.
Veliu ka thënë se tashmë e kanë hapur një konkurs për pranimin e gjashtë mjekëve të rinj dhe, sipas tij, pas pranimit të këtyre mjekëve pritet që ambulanca në Dumnicë të Poshtme të funksionalizohet.
Tash për tash objekti i ri i ambulancës në këtë fshat shfrytëzohet si zyrë e gjendjes civile.