Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

FSK është e gatshme për procesin e tranzicionit në ushtri

“Është nder t’ju kemi sot. Shërbimi juaj në Kosovë është investim afatgjatë. Është e rëndësishme që të jemi bashkë në të gjitha proceset për vendin dhe rajonin”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, Salvatore Farina.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e njoftoi mysafirin për progresin që e ka bërë Kosova në proceset shtetndërtuese, në ekonomi dhe në fuqizimin e rendit dhe ligjit, për gatishmërinë e FSK-së drejt tranzicionit të saj në ushtri, si një forcë profesionale, multietnike dhe sipas standardeve të NATO-s dhe një forcë që do të rreshtohet krah ushtrive të paqes, në ofrimin e paqes dhe sigurisë.

Kryeministri Haradinaj, e falënderoi gjeneralin italian për kontributin e tij dhënë gjatë shërbimit në Kosovë, si komandant i KFOR-it, duke i kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të tij dhe të shtetit italian për procesin euroatlantik dhe proceset tjera të rëndësishme për vendin.

“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për përkrahjen dhe besimin që i keni dhuruar gjatë mandatit tuaj si udhëheqës i forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti i Italisë në të gjitha proceset shtetndërtuese dhe integruese të vendit”, tha kryeministri Haradinaj gjatë takimit, duke theksuar se Qeveria është duke u angazhuar që të fuqizojë partneritetin politik dhe ekonomik me Italinë, duke ofruar ambient të përshtatshëm për investimet direkte të huaja.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, Salvatore Farina, duke vlerësuar progresin dhe të arriturat e Kosovës në fushën e sigurisë dhe në fusha të tjera të rëndësishme, tha se Italia do të jetë përkrahëse e Kosovës në të gjitha proceset.

Edhe Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike Arbëri 10 muaj më parë Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Kryeministri Haradinaj e ka nderuar gjeneralin Farina me Medaljen e Skënderbeut, në nderim të kontributit të tij të dhënë, derisa ka pranuar nga Ushtria Italiane Medaljen e Nderit, si shenjë falënderimi për bashkëpunimin e deritashëm.

Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori Italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha.