Pjesa më e keqe e koronavirusit ka përfunduar në Francë, por njerëzit duhet të jenë vigjilentë ngase virusi ende vazhdon të qarkullojë, ka thënë ministri i Shëndetësisë i këtij shteti Oliver Veran, raportoi Reuters të hënën.
“Pjesa më e keqe e epidemisë është prapa neve por virusi nuk ka vdekur. Nuk e kemi mundur në tërësi dhe jemi duke e kontrolluar qarkullimin e tij. Vazhdojmë me testime”, tha Veran për televizionin LCI.
Franca të dielën raportoi nëntë vdekje nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, duke e ngritur totalin në 29.407. Kjo është dita e pestë që numri i vdekjeve ka mbetur nën 30.
Presidenti i Francës Emanuel Macron tha të dielën se ai po e përshpejtonte daljen e Francës nga kufizimet, me restorantet dhe kafiteritë në Paris që u hapen në tërësi sot. Po ashtu, nga sot Franca zbuti kufizimet në kufijtë e saj për udhëtarët nga Bashkimi Evropian, transmeton KOHA.