Arbëri

Paralajmërimi i Limajt: Shumica parlamentare do të bëhet së shpejti

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar se së shpejti do të sigurohen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Ndonëse i rezervuar në përgjigjet që dha të enjten, Limaj tha se Nisma do të kontribuojë në tejkalimin e krizës institucionale.

Por lëvizje pozitive në këtë drejtim u shpreh se nuk pret që të ketë në vazhdimin e 20-të të seancës konstituive, që do të mbahet të premten.

“Shumica parlamentare krijohet para se me shku në parlament, duhet të ketë një shumicë parlamentare për me zhblloku situatën. Edhe një herë: vetëm një rrugë është, shumicë parlamentare siç ka ndodhur gjithmonë në Kosovë. Shumica parlamentare nënkupton edhe në Kuvend, përmes Kuvendit pasqyrohet edhe në Qeveri. Duhet të kthehemi te esenca, esenca është partia e parë duhet ta ketë shumicën parlamentare në parlament për me mujt me i shty agjendat tutje edhe në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe në qeveri dhe unë besoj që Kosova do ta ketë shumicën parlamentare shpejt”, ka deklaruar ai.

Në konferencën për media, Limaj tha se Kosova ka nevojë urgjente për themelimin e institucioneve e se për këtë forcat politike duhet të ulen e të diskutojnë mes vete.

Sipas tij, përgjegjësia është e ndarë në mes të tri partive kryesore: Vetëvendosjes, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë mendoj që tri partitë politike në këtë rast kanë një përgjegjësi të madhe në këtë çka po flas, të tri partitë politike. Natyrisht përgjegjësia është e shkallëzuar nga partia e parë e radhazi por këtu nuk përjashtohet përgjegjësia nga asnjërës prej partive politike për të dhënë kontributin e vet që Kosova t`i ketë institucionet sa më shpejt”, u shpreh Limaj.

Këto deklarata Limaj i bëri pasi njoftoi për shkrirjen e subjektit politik Forumi Intelektual në Nismën Socialdemokrate. Që të dy subjektet garuan në një listë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.