Komisioni Ekzekutiv për propozimin dhe hartimin e parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë.
Në mbledhje u miratua Grupi Punues i përbërë nga anëtarët: Arta Hoxha, eksperte e auditimit bankar, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme, Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare, dhe Tea Blakaj Hoxha, këshilltare ligjore e Kryeministrit.
Kryetar i Grupit Punues u zgjodh Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech, SHBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, i cili bëri një prezantim të shkurtër përpara Komisionit.
Kryeministri Albin Kurti tha se themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik.
“Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet e pritura dhe shpresat për vendin që pat populli i Kosovës. Ky model ekonomik u ndërtua mbi idenë e privatizimit të shpejtë, idenë se ekonomia e Kosovës më nuk mund të industrializohej, idenë se Kosova është një ekonomi jo e tregut konkurent e inovativ për prodhime dhe shërbime, por e tregtisë për mallra të importuara, dhe idenë se sektori publik shërben jo si shtyllë zhvillimore e ekonomisë së Kosovës, por si aset për t’u zhvatur deri në dëmtim e shkatërrim”, tha Kurti.“Ndërmarrjeve tona duhet t’iu rritet vlera përmes menaxhimit më të mirë ditor dhe ato nuk do të shihen më si barrë për buxhetin e Republikës, por do të shndërrohen në krah të fortë të zhvillimit ekonomik të vendit. Këtë qëllim parësor do ta ketë Fondi Sovran. Ai duhet të kujdeset për menaxhimin e performancës financiare të aseteve strategjike. Kjo nënkupton ngritje të performancës, rritje të vlerës, dhe rritje të kthimit në investime”.