Arbëri

Formatimi i kabinetit qeveritar mbetet vetëm paralajmërim

Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar punën e bërë nga kabineti qeveritar duke kërkuar që ai të ndryshohet. Ndonëse është paralajmëruar, formatim i Qeverisë nuk është bërë ende. Përcjellësit e punës së Ekzekutivit vlerësojnë se ndryshimet do të ndikonin pozitivisht në performancën e tij.

“Na duhet punë kolektive e ekipore ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në Qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar”. Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit Albin Kurti, drejtuar ministrave e kabineteve të tyre, në mbledhjen e partisë më 28 gusht sivjet.

Me gjithë paralajmërimin se do të bëjë ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar, një gjë e tillë, nuk është bërë ende.

I vetmi ndryshim në Qeverinë Kurti deri më tani është ai në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri Rifat Latifi u largua nga aty, por duke dhënë dorëheqje.

Në Grupin për Studime Politike e Juridike kanë thënë se formatimi i kabinetit të Qeverisë duhet të shihet si një hap tutje për të përmirësuar performancën e Ekzekutivit.

“Nëse kryeministri ose qeveria nuk arrijnë të mbajë në përgjegjësi të rregullt ministrat e tij atëherë ne mund të mbërrijmë në një fazë ku të njëjtit mund të arrijnë në një zonë komoditeti dhe nuk arrijnë të performojnë as në minimalen e dëshiruar dhe kjo nuk i shërben as qeverisjes së mirë por as zhvillimit të mëtutjeshëm apo përmirësimit të mëtutjeshëm të mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Njomza Arifi nga GLPS-ja.

Formatimin e Qeverisë opozita e sheh në dy dimensione të ndryshme. Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se për shkak të dështimeve në të gjitha dikasteret ministrore mungon qeverisja e mirëfilltë.

“Pavarësisht atyre intervenimeve që mund t`i bëjë z. Kurti në cilindo dikaster, këtu nuk po flasim për dështim në dy-tri pika, po flasim për mosfunksionim, mosfunksionim të agjendës qeveritare, mosimplementim të planit qeveritar. Këtu nuk po flasim për dështim në arsim, s`po mundem me gjet asnjë element të vetëm ku mundemi të gjejmë sukses”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se ndryshimi është i domosdoshëm.

“Qeveria Kurti ka dështuar në të gjitha mekanizmat e saj dhe nevoja për ndryshim në kabinetin e tij qeverisës është domosdoshme, ngaqë deri më tani nuk e kanë bërë asnjë të mirë për vendin, përveç stagnimit në disa fusha e regresit në disa tjera. Gjendja ekonomike e qytetarëve është e rënduar, ndërkohë që qeveria flet për rritje të buxhetit të saj. Pra, këta po flasin për keqmenaxhim dhe paaftësi, sepse nuk po dinë t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e tyre ndarja e 100 eurove për pensionistët. Qytetarët kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe ajo duhet të ofrohet nga qeveria, sepse ka për obligim të veprojë në interes të popullit. Ngritja e vazhdueshme e çmimeve ka atakuar në masë të madhe xhepat e qytetarëve të cilët mezi po e kalojnë muajin”, ka thënë ajo.

Lidhur me ndryshimet eventuale në kabinetin qeverisës, pyetjeve të televizionit nuk u janë përgjigjur Zyra e Kryeministrit tash e një muaj.