Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Flasin vëllezërit Bushi, dëshmitarët që gjetën trupin e policit Armend Trena

20:48 - Sot rreth orës 17:00 është gjetur trupi i pajetë i policit Armend Trena, jo shumë larg vendit ku ndodhi aksidenti tragjik, ku humbi jetën edhe polici tjetër Malsor Dashi, trupi i të cilit ishte gjetur ditë më parë.

Policët Armend Trena dhe Malsor Dashi kanë humbur jetën më 29 prill, në një aksident komunikacioni, pasi vetura në të cilën ndodheshin dy policët ka rënë në lumin Lepenc.

Për KosovaPress kanë folur dy dëshmitarët, të cilët deklarojnë se kanë parë të parët trupin e policit, të cilët pastaj i kanë njoftuar zyrtarët policorë.

Ata janë vëllezërit Hamdi dhe Ragip Bushi nga Hani i Elezit.

“Jemi kanë me gjithë vëllain këtu në urë dhe e kam parë prej së largu duke ardhur këtu nëpër Lepenc. E kemi parë përmbi urë, përmes ujit dhe pastaj vëllai i ka tregu policisë”, tha Hamdi Bushi.

Edhe Raporti i autopsisë: Policët kanë vdekur para se të binin në Lepenc Kronikë Raporti i autopsisë: Policët kanë vdekur para se të binin në Lepenc
Image

Kurse vëllai i Hamdiut, Ragipi tregon se si ka vepruar pasi e ka parë kufomën.

"Jemi kanë duke ndejt këtu me vëllain dhe një kushëri, sa shkuan teposhtë FSK-ja, vëllai tha këqyr diç atje është duke ardhur teposhtë, dhe pasi e kam vërtetuar se është njeri, kam vrapu teposhtë duke e përcjellë kufomën, për fat ishin kanë zhytësit në Lepenc dhe u kam thënë ‘qe ku është, qe ku është’, ka dal njëri ia ngjiti e ka ndal. Pastaj jam kthyer me ardh në shtëpi me marrë një qebe me mbulu kufomën”, tha Ragipi.

Image

Ata tregojnë se kanë dal çdo ditë për të shikuar në lumin Lepenc, në kërkim të trupave të dy policëve.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka deklaruar pas gjetjes së trupit të pajetë edhe të policit të dytë të zhdukur Armend Trena, se vetura e policëve pas ekspertizës së bërë ka dalë të jetë në gjendje të rregullt.

Kurse, Arsim Gërxhaliu, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se nesër pritet të bëhet autopsia e policit Armend Trena, ndërsa tha se gjetja e dy policëve në gjendje të mirë që nga zhdukja e tyre më 29 prill është si rezultat i temperaturave të ulëta të ujit në lumin Lepenc.

Edhe Ekspertiza thotë se policët Trena e Dashi janë vetë-aksidentuar në Lepenc Kronikë Ekspertiza thotë se policët Trena e Dashi janë vetë-aksidentuar në Lepenc

“S’ka dyshim që vdekja e policëve të ketë ardhur si pasojë e aksidentit”

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një prononcim për KTV-në, pas gjetjes së trupit të pajetë që dyshohet të jetë i policit të vdekur pas aksidentit në lumin Lepenc, Armend Trena, ka thënë se sipas hetimeve të deritashme, gjithçka çon në dyshimin se ka qenë aksident komunikacioni.

“Falë angazhimit maksimal të të gjitha njësive, kemi arritur të gjejmë trupin e pajetë të Armend Trenës. Hetimet e para kanë treguar se nuk ka asnjë dyshim se s’është aksident komunikacioni. Është konstatuar se automjeti në momentin e aksidentit ka qenë në gjendje të rregullt. Por ende s’e dimë se si ka ardhur deri tek dalja nga rruga e automjetit”, ka thënë Jashari, raporton Koha.net.

Kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se nesër pritet që trupi i Armend Trenës t’i dorëzohet familjes për ceremoninë e funeralit.

“Autopsia do të kryhet nesër paradite, kurse pasdite do të jetë i gatshëm për ceremoninë e funeralit. Shpresoj se pasnesër do ta kemi raportin final edhe për Malsorin, e njëjtë pres që së shpejti ta kemi edhe për Armendin, por mund të zgjas rreth 3 ditë”, tha Gërxhaliu për KTV-në.

Edhe Pas 10 ditë kërkimi, u gjet trupi i policit Armend Trena Video Pas 10 ditë kërkimi, u gjet trupi i policit Armend Trena

Ai tregoi edhe shkaktarin e vdekjes së dy policëve.

“Lëndime të shumta, tipike aksidentale, gjatë kohës së rrotullimit dhe rënies poshtë”, tha Gërxhaliu.