Në ekspozitën e artit pamor “Peneli i Flakës 2020” i cili ka karakter garues dhe që është njëra ndër shtyllat e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020” janë ekspozuar punimet e 44 artistëve.
Piktori Zeqirja Rexhepi është shpallur fitues i çmimit kryesor që është “Çmimi Blerës i Galerisë”, raporton Koha Ditore.
Avni Behluli nga Këshilli Organizativ i “Penelit të Flakës” ka deklaruar se këtë vit ka pasur interesim të madh të krijuesve për të marr pjesë në “Penelin e Flakës” mirëpo një pjesë e tyre janë refuzuar meqë nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme për vendosjen e punimeve të tyre në galeri. Ai ka deklaruar se piktori Zeqirja Rexhepi i cili jeton në shtetin e Kanadasë me krijimtarinë e tij ka bërë një përfaqësim të mirë edhe të Kosovës vendit nga i cili vjen. “Gjilani për 29 vite me sakrificë ka mbajtur këtë manifestim duke nderuar dëshmorët. Çmimi Blerës i Galerisë që është çmimi kryesor shkon në fondin e galerisë së arteve i ndahet piktorit i cili jeton në Kanada i cili me veprat e tij vazhdimisht po na nderon si brenda dhe jashtë shtetit tonë. Kemi pasur prurje të mëdha mirëpo me keqardhje them se hapësira e galerisë ku po ekspozojmë është e një formati të caktuar dhe nuk kemi pasur mundësi që të pranojmë të gjitha ato të cilat na kanë arritur. Ata autor të refuzuar për shkaqe teknike nuk janë pjesë e këtij manifestimi” ka thënë ai.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani ka deklaruar se ndjehet e kënaqur me prurjet të cilat janë në këtë ekspozitë. Ajo ka deklaruar se bashkëpunimi në mes komunës dhe krijuesve është duke u rritur. “Bashkëpunimi i Komunës po rritet e po shtohet me të gjitha shtyllat të “Flakës së Janarit 2020” ka thënë ajo.
Kurse Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi- Emini ka deklaruar se “Peneli i Flakës”është njëra ndër shtyllat e manifestimit që nuk është rrezikuar të shuhet asnjëherë. “Peneli i Flakës” si aktivitet vazhdon të rrugëtojë nga vitit 1991 dhe deri më sot ka qenë pranë jush me vepra të ndryshme kulturore të ardhura nga të gjitha format. Përcjelli urimin më të veçantë të kryetarit të komunës në këtë aktivitet që është treguar nga artistët” ka thënë Emini.
Edhe
Piktori Zeqrija Rexhepi shpallet fitues i “Penelit të Flakës”
Si ka lindur manifestimi kulturor “Flaka e Janarit” në Gjilan
Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit” është themeluar me 17 janar të vitit 1991 nga Shoqata Kulturore e Gjilanit dhe Forumi i Rinisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili manifestim i kushtohet tre veprimtarëve politik Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka të cilët u vranë në shtetin e Gjermanisë në vitin 1982.
Veprimtarët e vrarë politik shquheshin për angazhimin e tyre në mbrojtje të Kosovës dhe si kundërshtar të regjimit jugosllav. Vrasja e tyre ende nuk është ndriçuar. Shkrimtari Sabit Rrustemi ka shpalosur historikun e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” i cili mbush 29 vite. Manifestimi kulturor kishte lindur në hapësirat e shkollës së muzikës që gjendet në qendrën e qytetit në Gjilan dhe ishte debatuar gjerë e gjatë për emërtimin e manifestimit duke shtjelluar edhe propozimet. Ai ka thënë se manifestimi është pagëzuar nga Ahmet Isufi i cili tani është në skenën politike. Propozim kishte dhënë edhe shkrimtari i ndjerë Beqir Musliu. “Është pagëzuar me këtë emër pas një debati që ishte i shëndosh. Propozova që të emërtohej “Shkëndijat e Janarit” dhe pastaj rrjedhi propozimi i shkrimtarit Beqir Musliut që ishte “Ditët e Martirëve” dhe ishte një ndërhyrje nga Ahmet Isufi i cili na tha që nëse na duken të vogla këto shkëndija a i kthejmë në Flakë. Rrjedhimisht përcaktuan emërtimin “Flakë Janari” emërtim metaforik që sot e indetifikon Gjilanin” ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se edicioni i parë i manifestimit “Flaka e Janarit” është zhvilluar në fshatin Bresalc me 18 janar të vitit 1992 dhe më pas ishte bartur në fshatin Përlepnicë duke vazhduar veprimtarinë përkundër që kishte pasur provokime nga ana e regjimit serb të cilët nuk pëlqenin këso lloj organizime. “I’u kënduam dëshmorëve secilin manifestim që rrjedhi pastaj në tetë edicionet e paraluftës së fundit e kemi nisur dhe mbyllur me tog-fjalëshin, mirë u pafshim vitin tjetër në Republikën e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane. “Flaka e Janarit” u bë atë kohë frymëzim për moshën e re po edhe kurajo për një moshë të shtyrë të popullatës sonë se do të arrijmë në jetësimin e qëllimit për ku ishim nisur dhe udhëtonim me dekada” është shprehur ai.
Ai thotë se me çlirimin e vendit nga pushtuesi serb është arritur që manifestimin kulturor “Flaka e Janarit” të jetë pikë takimi për krijuesit shqiptar. Thotë se organizimi i komunës për këtë manifestim ka qenë dinjitoz dhe se në vazhdimësi është duke u punuar në eliminim e dobësive. “Në 21 edicionet e pas luftës “Flaka e Janarit” janë përafruar krijuesit e artistët shqiptar të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës lindore qoftë përmes artit pamor atij letrar, skenik e muzikor. Brenda 28 edicioneve të tanishme pa llogaritur edhe të 29-in edicion ku edhe i kemi dhënë mundësinë për të dëshmuar vetën afro 10 mijë krijuesve dhe mbi 800 janë shpërblyer. Flaka me katër shtyllat “Fest Flaka” “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës” dhe Pena e Flakës i ka dhene fizionominë e duhur “ ka shtuar ai.
-Akademia e Flakës i është kushtuar dëshmorit i cili bëri thirrje për rezistencë në vitin 1998
Edicioni i 29-të i manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” është hapur të premten në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan ku edhe është mbajtur akademia e cila i është kushtuar dëshmorit të kombit, Abdullah Tahiri i cili në vitin 1998 nga Gjilani bëri thirrje publike për rezistencë të armatosur kundër administratës serbe e cila në mënyrë të dhunshme kontrollonte Kosovën. Ai ishte arrestuar dhe më pas ishte dërguar në burgun e Dubravës. Me përfundimin e luftës në Kosovë në vitin 1999 është arritur që të sjellët trupi i të ndjerit në vendlindje ku edhe është varrosur. Nënkryetari i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” në Gjilan, Blerim Haziri ka prezantuar para publikut biografinë e dëshmorit. “Një biografi e shkurtë për heroin Abdullah Tahiri i cili lindi me 2 shtator të vitit 1956 në fshatin Malishevë të Gjilanit në një familje me tradita patriotike. Shkollën fillore e kreu në Malishevë kurse shkollimin e mesëm e filloi në qytet mirëpo pushteti jugosllav e akuzonte për veprimtari armiqësore dhe detyrohet që shkollimin e mesëm të përfundoj në Bujanovc. Fakultetin e Bujqësisë e regjistroi në Prishtinë ku edhe u njoh me gruan e tij. Ai ishte njëri ndër organizatorët e demonstratës së vitit 1981 dhe nuk u lejua që të përfundoj fakultetin” ka thënë Haziri.
Ka përmendur edhe aktivitetin e tij në periudhën gjatë viteve të 90-ta si kundërshtar i hapur i regjimit serb. “Abdullahu ishte aktiv edhe në kryesinë e Unionit të Subjekteve Politike të Gjilanit e cila veproi si trup unik në të mirë të çështjes kombëtare. Në mbledhjen e mbajtur me 15 qershor të vitit 1998 në shkollën fillore “Selami Hallaqi” kërkoi publikisht përkrahjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kërkoi që pa dallim partie t’i bashkohen UCK-së. Policia serbe e hetoi rrezikshmërinë që i kanosej nga veprimtaria e Abdullahut dhe e arrestoi. Ai është dënuar me 4 vite burgim dhe nga burgu i Gjilanit e transferuan në burgun e Dubravës nga i cili nuk e lanë të shpëtojë dhe nuk e lanë që të kthehet më. Ai nuk e pranoi robërinë e Kosovës” është shprehur ai.
Edhe
“Flaka E Janarit” kthen Gjilanin në qytet të artit
Ndërkaq në emër të familjes së dëshmorit , Bejtullah Tahiri i cili edhe në cilësinë e ish të burgosurit politik ka folur me tone politike duke tërhequr vërejtjen se shteti serb është duke vazhduar projektet e tyre kundër shqiptarëve tani me mjete politike. Ai ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet t’i bashkëngjiten idesë për “tregti të lirë” i njohur si “Mini Shengeni”.
“Nuk mundem të mos i shpreh mendimet e mia dhe asnjëherë nuk duhet të na mashtrojë pushteti serb siç i ka mashtruar të parët tanë. Pak para ditësh e lexova hollësisht sesi mashtruan serbët Isa Boletinin dhe kështu e mashtruan Idriz Seferin dhe kanë mashtruar shumë të parët tanë duke i copëtuar tokat tona në shumë vende. Po mundohen me Mini Shengena ta mashtrojnë popullin tonë. Nuk duhet të harrojmë amanetin e dëshmorëve për të bashkuar trojet shqiptare në një vend dhe miqtë tanë të cilët na kanë çliruar. Këto dy gjëra nuk duhet t’i harrojmë dhe nëse shkojmë me këto dy gjëra shkojmë përpara atëherë amanetin e dëshmorëve e qojmë në vend. Nuk është e mjaftueshme vetëm kështu t’i kujtojmë dëshmorëve por të punojmë për amanetin e dëshmorëve”, ka thënë Tahiri.