Arbëri

Fituesi i “Gropës së Shpend Ahmetit” shpreson që gara të ketë ndikim tek institucionet

Kishte kohë të gjatë që ishte krijuar kjo gropë dhe asnjëherë nuk u intervenua në të.

Dardan Gashi, banor i kësaj lagjeje, kishte dërguar fotografinë e kësaj grope në garën “Gropa e Shpend Ahmetit”, e cila u zgjodh si më e rrezikshmja për qytetarët.

Si shpërblim ai ka fituar 4 goma dhe një asistencë rrugore, të cilat ia dhuruan Eurogoma dhe AMCK .

Gashi thotë se është i kënaqur që e ka fituar këtë shpërblim dhe shpreson që gara të ketë ndikim tek institucionet që të veprojnë shpejt sikurse në gropën e “Shpend AHmetit”.

“E kam parë në një faqe në Facebook dhe i bie shpesh asaj rruge dhe gjithmonë kam thënë pse nuk intervenon Komuna këtu, dhe thashë ta provoj fatin nëse do të zgjidhet gropa më e mirë. Ndoshta nuk është gropa më e mirë, por është qe një kohë të gjatë, qe dy vjet që jam në atë lagje është ajo. Nuk kam hasë unë vetë, por kam parë vetura të tjera që kanë hasë në atë gropë dhe kanë pësuar aksident. Një ditë pas emisionit, të nesërmen, ditën e shtunë, është intervenuar, edhe pse zakonisht është ditë pushimi. Ndoshta kishte qenë më mirë me bë më shpesh këso gara ose mi emëru më shpesh kryetarët dhe drejtorët e ndoshta kishin intervenuar më shpesh”, ka thënë ai.

Javë më parë, Komuna e Prishtinës e kishte mbyllur edhe një gropë në rrugën “Gazmend Zajmi”, pas raportimit të KOHËS për aksidentin e çiklistes si pasojë e rënies në gropë.