Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka pritur sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall. Zhvillimet politike në Kosovë, e në veçanti procesi i dialogut me Serbinë ishin temat e takimit të zhvilluar në selinë qendrore të Partisë Socialdemokrate në Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
PSD-ja thotë se Thaçi s’ka legjitimitet për ta përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë.
“Përderisa ambasadorja finlandeze shprehu shqetësimet e saj lidhur me mungesën e konsensusit të spektrit politik për dialogun, kryetari Ahmeti e njoftoi atë mbi propozimin e PSD-së për platformën e përbashkët të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës. Kreu i PSD-së nënvizoi se Presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për ta bartur procesin e dialogut me Serbinë, e se kjo përgjegjësi i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
PSD-ja i ka kërkuar ndihmë Finlandës për liberalizimin e vizave.
“Duke e falënderuar ndihmën përgjatë viteve të shtetit finlandez për Kosovën, Shpend Ahmeti kërkoi mbështetjen e Helsinkut zyrtar për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kryetari i Partisë Socialdemokrate njoftoi po ashtu ambasadoren finlandeze mbi parimet kryesore politike, ekonomike e sociale të Partisë Socialdemokrate; si dhe për konsolidimin e saj strukturor dhe organizativ”, thuhet në komunikatë.
Ambasadorja Pia Stjernvall theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me Finlandën dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejme dypalësh.