Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani u kërkon ambasadorëve të mos lejohet asnjë kusht shtesë për lilberalizim të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të hënën, ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë, me të cilët ka diskutuar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se me ambasadorët, Osmani ka diskutuar për zhvillimet politike pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë takim, Franca ka propozuar që liberalizimi të lidhet me sistemin ETIAS, që as në BE nuk është ende funksional.

“Sipas Presidentes Osmani, është shumë e rëndësishme që përkrahja të vazhdojë edhe tani, kur Kosova pret që të përmbyllet procesi shumë i rëndësishëm i krijimit të mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, proces i cili e prek drejtpërsëdrejti jetën e tyre. Ajo theksoi se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën, meqë shteti ynë i ka plotësuar të gjitha kriteret”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Osmani ka thënë se është e rëndësishme që të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë për heqjen e vizave për Kosovën, sepse sipas saj, do të ndikonte në mohimin e të drejtave të qytetarëve dhe do ta lëndonte kredibilitetin e BE-së.

“Presidentja Osmani ka kërkuar, po kështu, edhe përkrahjen e mëtejme të këtyre vendeve për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë është shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, ngase u jep atyre mundësi që t’i mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe e ndihmon vendin që t’i avancojë më tej të drejtat e njeriut”, thuhet më tej në komunikatë.