16:48 - Ka filluar takimi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërjmetësimin e BE-së.
Maja Kocijançiç ka postuar një foto nga fillimi i takimit, që udhëhiqet nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, transmeton Koha.net.
“Dialogu i lehtësuar nga BE: Federica Mogherini takohet me presidentët Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi për të diskutuar normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kujtojmë se kjo është cilësuar si faza e fundit e dialogut, nga e cila Kosova pret që të arrihet marrëveshje që i jep asaj ulëse në OKB. Në Kosovë nuk ka kompromis që Thaçi, që i kishte nisur si kryeministër negociatat me Serbinë, t’i vazhdojë ato në cilësinë e presidentit të vendit. Opozita dhe një pjesë e partive në pushtet nuk e përkrahin idenë që Thaçi t’i prijë negociatave, derisa ai ka thënë se e ka obligim kushtetues që të përfaqësojë Kosovën në këto bisedime.
Mogherini takohet me Thaçin
15:58 Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tashmë është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
15:50 Mogherini takon Vuçiqin para takimit të përbashkët me Thaçin
Në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, njëherësh ndërmjetësja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini, pak minuta më parë ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtij takimi, Mogherini do të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa më pas do të t’i takojë të dy bashkë ku në fokus të bisedimeve pritet të jenë marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve, raporton Koha.net.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja. Federica MogHerini takon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel”, ka shkruar në Twitter Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Mogherinit.
