Slavisha Filiq është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.
Më 15 shtator 2023, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Filiqit, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet e Kosovës, kanë torturuar mjekun Hafir Shala, për të cilin nuk dihet deri sot çfarë ka ndodhur.
Prokurori special, Atdhe Dema, pati thënë vitin e kaluar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se Shala u ndalua më 10 prill 1998 në Sllatinë të Fushë-Kosovës.
“Në cilësinë e personit zyrtar, Slavisha Filiq, në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të këtij shërbimi, të cilët deri në ditën e sotme janë të panjohur dhe të paarritshëm për institucionet tona të sigurisë, më 10 prill 1998, derisa viktima Hafir Shala, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë, së bashku me dy persona të tjerë, përkatësisht Hetem Sinanin dhe Shaban Nezirajn, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër Aeroportit të Prishtinës, të njëjtët janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të policisë serbe dhe të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Slavisha Filiq në atë mënyrë që pasi i kishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë”, ka treguar Dema versionin e ngjarjes sipas Prokurorisë.
Prokurori Dema u shpreh se i akuzuari Filiq, që është në kërkim, bashkë me dy persona të panjohur tash për tash, pasi e ndaluan Shalën, e dërguan në një vend tjetër ku iu nënshtrua keqtrajtimit.
“Pasi dr. Hafir Shala ishte marrë nga i pandehuri Slavisha Filiq dhe nga dy të dyshuarit e tjerë, të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën e markës ‘Opel’ e tipit ‘Frontera’ me targa të regjistrimit PR-986-16, të cilën e drejtonte i pandehuri Slavisha Filiq dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe nga ajo ditë për fatit e tij nuk dihet asgjë”, ka thënë prokurori Dema.
Gentrit Shala, i biri i Hafir Shalës, ka thënë se shpallja e këtij aktvendimi nuk është fundi i këtij procesi.
“Është fillimi i një procesi shumë më të madh. Filiq nuk ka qenë i vetëm sepse kanë qenë edhe dy persona tjerë. Për arrestimin e babit ka pasur urdhërarrest, baza e të cilit është në zyrat e Beogradit”, ka thënë ai.
Emrin e mjekut që ndihmoi popullatën civile shqiptare dhe ushtarët e UÇK-së sot e mban Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas. Më 2016, presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, pati ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” për Shalën.