Fermeri nga Livoçi i Ulët, ankohet se projekti i komunës për shtrimin e rrugëve me zhavorr, nuk ka pasur mbikëqyrjen e duhur nga Drejtoria e Bujqësisë.
Si rrjedhojë, sipas Fatmir Sherifit, punimet të cilat janë zhvilluar në rrugën që shpie te ferma dhe shtëpia e tij, i kanë shkaktuar probleme, raporton KTV.
Ai thotë që sa herë ka të reshura pronat e tij mbushen me ujë, si pasojë e grumbullimit të dheut përgjatë rrugës.
Fermeri, i cili ka 20 krerë lopë, tregon se kishte kërkuar nga komuna që të gjejë një zgjidhje që ujërat të derdhen diku tjetër, mirëpo thotë se kërkesa e tij ishte shpërfillur.
Sherifi shton se nëse vazhdon ky problem, do të detyrohet që të heqë dorë nga profesioni, të cilin e ushtron.
Por, drejtori i Bujqësisë në Gjilan, ankesën e këtij fermeri e sheh si të paarsyeshme duke thënë që në krahasim me punën që ka bërë kjo drejtori, ajo ankesë nuk është asgjë.
Ndryshe, kjo rrugë dhe shumë të tjera janë shtruar me zhavorr para 5 muajve.