Arbëri

Fermerët në Podujevë ankohen për mijëra euro dëme nga breshri

Kultura të shumta bujqësore kanë pësuar dëme të pariparueshme nga breshri, që ka rënë dje në Komunën e Podujevës. Për pasojë, fermerët kanë kërkuar kompensime nga institucionet lokale dhe ato qendrore. E zyrtarët komunalë në Podujevë kanë theksuar se pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve në terren kërkesat për kompensim do të adresohen në Ministrisë e Bujqësisë

Mijëra euro llogaritet të jenë dëmet e shkaktuara nga breshri në kulturat bujqësore nëpër disa fshatra të Komunës së Podujevës. Fermerët thonë se një pjesë e kulturave të hershme janë dëmtuar tërësisht dhe se nuk mund të mbillen sërish, pasi që u ka kaluar koha për mbjellje. Megjithëkëtë, ata kanë vlerësuat se bazuar në sasinë e madhe të breshrit të rënë dëmet kanë mundur të ishin edhe më të mëdha.

“Kemi dëme te kulturat e hershme të cilat janë të mbjella, si lakra e hershme dhe marulla, të cilat vlera e tyre mund të shkojë edhe mbi 10 mijë euro. Te lakra e vonshme janë dëmet pak më të vogla, po megjithatë edhe aty ka dëme, ku edhe ato ose duhet të rimbillen, ose tërësisht të shkulen”, ka thënë fermeri nga Sibofci i Epërm, Fahrudin Mahmuti.

Ai ka bërë të ditur se dëme kanë pasur edhe fermerët e tjerë të fshatit, kryesisht në patate, misër e grurë.

Breshri ka shkaktuar dëme edhe në pemishten e Naser Lalës nga fshati Gllamnik. Ai ka treguar se nga 1 mijë e 300 trupat me mollë, dardhë e kumbull, çdo vit i ka prodhuar deri në 20 mijë kilogramë fruta.

“Këtë vit pjesën e poshtme në pranverë ngricat e hershme e kanë dëmtuar, pjesën këndej nuk e ka përfshirë, kanë shpëtuar deri dje. Dje u bë dëmi shumë i madh. Ne familjarisht e mirëmbajmë, kam shpenzime, po profiti tash pothuajse zero. Presim prej Drejtorisë së Bujqësisë me na ndihmuar, kanë dalë sot në vendin e ngjarjes, presim (ndihmë v.j.) edhe prej Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Lala.

Zyrtarët në Komunën e Podujevës kanë thënë se dëme ka pasur në fshatrat Gllamnik, Konushefc, Sibofc e Batllavë.

“Sot qysh në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me drejtorin për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, kemi dalë në terren për të parë nga afër dëmet që u janë shkaktuar fermerëve nga të reshurat që kanë ndodhur në ditën e djeshme. Deri në këto momente kemi hasur në dëme të konsiderueshme, kryesisht në kultura të ndryshme, duke përfshirë lakrat, dredhëzat, mjedrat dhe kultura të ndryshme”, është shprehur drejtori për Bujqësi, Fatmir Rudari.

Ai ka theksuar se Komisioni Komunal do ta bëjë gjatë ditëve të ardhshme vlerësimin e dëmeve në terren dhe se kërkesat e fermerëve të dëmtuar më pas do të adresohen në Ministrinë e Bujqësisë për kompensim.