Arbëri

Breshri shkatërron kulturat bujqësore në disa pjesë të Podujevës

Për të dytën herë brenda muajit qershor bujqit në Komunën e Podujevës kanë pësuar dëme nga reshjet. Ata thonë se nga breshri i së martës mbrëma gjithçka u është shkatërruar nga të mbjellat. Sipas tyre, nëse institucionet nuk u dalin në ndihmë, nuk do të mund t’i kthehen bujqësisë as vitin e ardhshëm. E, në Komunën e Podujevës kanë thënë se pasi Komisioni të bëjë vlerësimin e dëmeve, do t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë për kompensim

Breshri i një dite më herët nuk është shkrirë as të mërkurën në arën e Gani Retkocerit në fshatin Lupç të Podujevës. Ky fermer që i kishte mbjellë disa hektarë me kultura bujqësore, këtë vit planifikonte të fitonte rreth 20 mijë euro, por nga breshri e furtuna thotë se asgjë nuk i ka shpëtuar.

Meqë sezoni i mbjelljeve tash ka kaluar, ai thotë se nuk ka kohë që t’i rimbjellë arat me kunguj misri, pjepër, speca, domate, burania e fasule.

“Ka qenë mirë me diell dhe përnjëherë është paraqitur vranësirë në pjesën prej Popove, edhe për një gjysmë ore ka mbërri një rrebesh që unë nuk e kam përjetua asnjëherë. S’e kam parë. Jo vetëm unë, por edhe më të moshuar se unë nuk kanë pasë rast me pa. Ka qenë furtunë e tmerrshme”, ka thënë Retkoceri.

Ky fermer i ka pasur rreth 3 hektarë të mbjellë me kunguj misiri e 1 hektar speca, domate, burania, pjepër e fasule me misër.

“Fatkeqësisht dje u shkatërruan të gjitha për 20 minuta. Për 20 minuta gjithçka u fundos. Dje me pasë ardhë me pa paradite, t’u ka kënaq syri – gjelbërim. Sot e shihni ju edhe vetë sikur e ka përbi dheu. Gjithçka e ka shkatërru, rrafshu. Unë për vete nuk mbaj mend, as kam dëgjua që ka ba këso dëmesh”, është shprehur Retkoceri, sipas të cilit për këto kultura është investuar rreth 5 mijë euro. “Unë kam planifikuar që t’i marr 60 tonë veç me kunguj të misirit, se toka është e mirë, e fortë edhe sistemin e ka të ujitjes pik-pikë, të gjitha kushtet ia kam ofruar. Edhe me pjepër afër 1 mijë fidanë kanë qenë. Speca gjithashtu 5 mijë, buraninë tregu e kërkon shumë. Minimumi 15-20 mijë euro është dashtë me dalë. Kështu tash është vonë. Nuk di njeri çka bën, as çka mbjell. Kështu që për sivjet u krye, s’kam çka me mbjellë, s’kam çka bëj kurrgjë”.

Bujqit thonë se për shkak të shtrenjtimit të plehrave, naftës e preparateve tjera që u duhen në bujqësi kanë shpenzuar shumë për këto kultura. Por, që tash gjithçka u është kthyer përmbys.

“Nuk kemi pa në jetën tonë këso dëmesh. Njëherë për njëherë jemi katastrofë. Ne jemi 5 familje me nga 5 anëtarë dhe merremi me këtë kulturë (patate) qe 15 vjet. Sivjet po duken çmimet, po duken harxhimet. Ne për momentin, në qoftë se nuk kemi ndihmë prej qeverie, prej Ministrisë së Bujqësisë, në këtë vit ne jemi të dështuar. Ne vitin e ardhshëm nuk kemi mundësi kurrsesi me ua nisë mbjelljeve”, ka thënë fermeri Samajl Berisha nga fshati Lupç.

Vetëm patate ka thënë se i ka pasur të mbjella 7 hektarë, pastaj grurë 3 hektarë e gjysmë, e misër gjysmë hektari.

Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Podujevës, Fatmir Rudari, ka thënë se me mëngjes zyrtarët komunalë kanë dalë në terren për të parë dëmet që u janë shkaktuar fermerëve. Sipas tij, dëme më të mëdha ka pasur në Lupç të Poshtëm, Lupç të Epërm, Majac, Popovë, Lluzhan, Bellopojë, Halabak e fshatra të tjera.

“Sot qysh në orët e hershme të mëngjesit ishim në terren për të parë nga afër të gjitha dëmet që u janë shkaktuar fermerëve tanë nga reshjet e djeshme. Me të vërtetë është shkaktuar një dëm shumë i madh. Ne i udhëzuam ata që të vijnë të bëjnë kërkesë në komunë dhe komisioni të dalë për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe pastaj ato kërkesa do t’i drejtojmë në Ministrinë e Bujqësisë dhe besojmë që Ministria e Bujqësisë do t’i kompensojë bujqit se me të vërtetë është bërë një dëm shumë i madh”, ka thënë Fatmir Rudari.

Në Komunën e Podujevës kjo është hera e dytë brenda muajit qershor që bujqve u shkaktohen dëme nga breshri.