Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fejzullahu: Në krahasim me nëntorin, në dhjetor pati 50% më shumë konsum të rrymës

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit Energjetik (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se konsumi është arsyeja kryesore që ka çuar në rritje të çmimit të faturave të rrymës për muajin dhjetor.

Faturat e energjisë për muajin dhjetor kanë nxitur reagime të shumta të qytetarëve, të cilët përmes rrjeteve sociale janë ankuar në drejtim të KESCO-s për dyfishim deri në trefishim të tyre.

E Fejzullahu, sipas të dhënave të ZRRE-së, ka thënë se në krahasim me muajin nëntor, në dhjetor ka pasur 50 për qind më shumë konsum të rrymës.

“Sipas të dhënave preliminare të ZRRE-së, arsyeja kryesore e rritjes së faturave të rrymës është konsumi. Nëse krahasojmë konsumin e muajit nëntor dhe dhjetor, kemi përafërsisht rritje prej 50 për qind. Nëse i krahasojmë të dhënat me dhjetorin e vitit të kaluar, 12 për qind më shumë është konsumuar këtë dhjetor. Kjo do të thotë që disa konsumatorë mund të kenë trefishuar apo katërfishuar konsumin e tyre. Domosdoshmërisht ai konsum do të reflektohet edhe në fatura të konsumatorëve. Ne i kemi matjet në transmision dhe në secilin gjenerator”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Fejzullahu ka siguruar qytetarët se këtë dimër s’ka pasur rritje të tarifave.

Edhe Fejzullahu kërkon mirëkuptim nga bizneset që pranuan fatura të rrymës trefish më të shtrenjta Arbëri Fejzullahu kërkon mirëkuptim nga bizneset që pranuan fatura të rrymës trefish më të shtrenjta

“Tarifat janë rritur në prill të vitit të kaluar dhe ato do të mbesin në fuqi deri më 31 mars të këtij viti”, ka deklaruar Fejzullahu.