Arbëri

Fejza: Vetëm një Lëvizje Vetëvendosje e fuqishme me numra siguron Kuvend funksional

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arjeta Fejza ka deklaruar se vota e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme do të jetë vendimtare për të siguruar një Kuvend funksional, duke theksuar se vetëm një Lëvizje Vetëvendosje me numër të fuqishëm deputetësh mund ta garantojë këtë.

“Është krejt e qartë që me pas Kuvend stabil dhe funksional, Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e fuqishme me numra. Besoj qytetarët e kanë parë këtë”, ka thënë Fejza, duke shtuar se pret një rezultat shumë pozitiv për partinë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Ajo ka komentuar edhe zhvillimet politike që kanë çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke akuzuar opozitën për bllokim të vazhdueshëm.

“Ajo çka e ka karakterizuar dështimin edhe të mandatarit të dytë është përbashkimi i opozitës në bllokim. Çfarëdo alternative që kemi ofruar, ka qenë problem për ta. I kemi dërguar ftesë LDK-së, kemi diskutuar me Nismën. Për gjitha zgjidhjet që kemi ofruar, ata kanë qenë bllokues”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

Fejza theksoi se VV-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të dalë nga ngërçi politik, ndërsa opozita mban barrën e mosfunksionimit të Kuvendit.

“Të gjitha lëvizjet që i kemi bërë, jemi munduar të dalim nga situata që prolongon zhvillimin e vendit. Ne nuk bllokojmë procese. Por duhet të dihet se kush e mban barrën për bllokadën që e ka shoqëruar Kuvendi. Ajo është opozita”, u shpreh ajo.

Sipas Fejzës, zgjedhjet nuk kanë qenë opsioni i parë i VV-së, por tani ato janë mundësia që qytetarët të vendosin për një Kuvend që funksionon.

“Pres që këto zgjedhje do të jenë jetësim i kësaj çështje. Qytetarët do ta mbështetin LVV-në, do të jetë e fortë me numra dhe do të ecë tutje në procese”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se partia do të jetë maksimalisht e angazhuar në komunikimin me qytetarët.

E pyetur për skenarët paszgjedhorë dhe mundësinë që VV-ja të mos sigurojë numrat për të qeverisur e vetme, Fejza u shpreh se është ende herët për të folur për koalicione apo situata hipotetike.