Në përvjetorin e 23-të të përkujtimit të civilëve shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat përreth, të vrarë nga bombat e NATO-s si rezultat i përdorimit të tyre si mburojë nga forcat serbe, është theksuar se kjo ngjarje nuk ka qenë fatkeqësi, por krim i paramenduar nga aparati i dhunës së shtetit serb. Familjarët e të vrarëve sërish kanë kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë
Familjarët e viktimave civile që patën pësuar 23 vjet më parë nga bombat e NATO-s, pasi janë përdorur si mburojë nga forcat serbe në Korishë të Prizrenit, të premten, kanë kërkuar që përgjegjësit për inskenimin e kësaj ngjarjeje të vihen para drejtësisë. Më 13 maj 1999, në këtë fshat janë vrarë 77 civilë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë, nga Korisha e Prizrenit, si dhe nga disa fshatra të Suharekës.
Zyrafete Ahmetaj, duke treguar se në këtë ngjarje të tmerrshme ka humbur 8 anëtarë të familjes, përfshirë djalin 10 vjeç Agonin, ka kërkuar që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
“Është një padrejtësi shumë e madhe që akoma s’është dënuar askush për këtë masakër kaq të madhe që është bërë në fshatin Korishë”, ka thënë ajo.
Ngjashëm është shprehur edhe ish-eprori i UÇK-së nga kjo anë, Lulzim Kabashi, duke pohuar se në këtë rast bëhet fjalë për krim të kryer nga forcat ushtarake serbe.
e 13 majit 1999 nuk ishte fatkeqësi, ishte krim i organizuar nga aparati i dhunës, në këtë rast ushtria serbe ndaj popullatës së paarmatosur dhe të dorëzuar. Andaj po bëj thirrje që drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare ta zbardhë këtë rast monstruoz dhe fajtorët të dënohen”, ka deklaruar Kabashi.
Në emër të familjeve të martirëve të Korishës ka folur Hasan Ahmetaj, i cili ka pohuar se mesnata e 13 majit të vitit 1999 përkujtohet me lot.
“Jemi me lot pafund për Korishën me rrethinë që vajton çdo pranverë bijtë dhe bijat e saj, të cilët u përdorën si mburojë e gjallë nga okupatori serb”, është shprehur ai.
Rexhë Ukaj nga Këshilli Organizativ ka pohuar se në natën e 13 majit 1999, forcat serbe dhunshëm kanë inskenuar caqe të rrejshme për NATO-n, me mbi 500 civilë shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat përreth. "Në këtë natë gabimisht aleanca e NATO-s godet njerëzit që ishin të rrethuar dhe mbaheshin robër nga forcat e rregullta ushtarake dhe paramilitare të pushtuesit serb", ka thënë ai.
Në këtë lokalitet, 23 vjet më parë, një kolonë e refugjatëve shqiptarë që ishin nisur në drejtim të Shqipërisë janë ndaluar nga forcat serbe dhe janë përdorur si mburojë ndaj bombardimeve të NATO-s, gjë që më pastaj është shfrytëzuar nga regjimi serb për ta akuzuar Aleancën Veriatlantike për sulme ndaj civilëve.