Arbëri

Mbërrijnë në Kosovë refugjatët e parë ukrainas

Të detyruara të lënë pas burrat dhe familjarët pas pushtimit nga Rusia, Maria Vitalievna Kydurko dhe Juliya Oleksandriva Obodovskaya thonë se janë regjistruar si refugjatet e para në Kosovë

Katër ditë ngasjeje me veturë u mori kohë mbërritja deri në kufirin e Kosovës dy ukrainaseve, të cilat u nisën nga qyteti perëndimor i Vinnytsias, për ta marrë këtë rrugë të vetme, bashkë me tre fëmijët e tyre, të moshave 7, 8 dhe 9 vjeç.

Kanë kaluar njëzet ditë qëkur nisi pushtimi rus i Ukrainës dhe tashmë rreth tre milionë ukrainas janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre. Vendeve të shumta që ua kanë hapur dyert i është bashkuar edhe Kosova, me mbërritjen e refugjatëve të parë.

Të detyruara të lënë pas burrat dhe familjarët pas pushtimit nga Rusia, Maria Vitalievna Kydurko dhe Juliya Oleksandriva Obodovskaya thonë se janë regjistruar si refugjatet e para në Kosovë.

Që nga e enjtja ato janë strehuar në Prishtinë te kushërira e tyre, Jana Zhdrella, e cila ka vite që është martuar në Prishtinë.

Me gjithë vështirësitë gjatë rrugës, ato rrëfejnë për mikpritjen nga Kosova, që vazhdon të mos njihet nga shteti i tyre, Ukraina. Përshtypjen e parë ia dhanë policët kosovarë derisa po kalonin nga Maqedonia Veriore për në Prishtinë.

“Vetëm policët në Kosovë na kanë ofruar diçka të ngrohtë për të pirë, na kanë pyetur si jemi me shëndet dhe nëse kemi nevojë për diçka. Nëpër shtetet e tjera ku kemi kaluar vetëm vullnetarët na kanë shtruar pyetje të tilla, ndërsa policët kanë qenë më zyrtarë. Kosova na ka pëlqyer shumë. Duket që është një shtet që ende po ndërtohet. Por po i lutemi Zotit që të përfundojë lufta sa më shpejt dhe të kthehemi sa më shpejt në vendin tonë, sepse nuk është e lehtë, kur e kemi lënë krejt familjen atje”, i ka thënë KOHËS, Vitalievna Kydurko.

Dy ukrainaset me tre fëmijët e tyre thonë se gjumin e bëjnë të qetë e të sigurt, por mendjen dhe lutjet i kanë me të afërmit që u mbetën në luftë.

“Ne dhe fëmijët erdhëm, por baballarët u kanë mbetur atje. Ata janë të vegjël, por e kuptojnë që dikush duhet ta mbrojë vendin. Këtu na pritën shumë mirë, kemi filluar të adaptohemi dhe tash jemi më mirë. Të paktën, flemë rehat”, tregon Oleksandriva Obodovskaya.

Ukrainasja tjetër, Vitalievna Kydurko, tregon se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët që i ka lënë në Ukrainë.

“Për momentin, vendi im është në luftë, po sulmohen shtëpitë, njerëzit civilë. Krejt familja më ka mbetur aty, nëna, kushërinjtë, vëllezërit, dajallarët. Çdo një orë e gjysmë jam duke thirrur në shtëpi, veç për t’ua ndier zërin, ta di që janë mirë. Po e lus popullin e Rusisë, ndaleni presidentin tuaj, ndaleni popullin tuaj, sepse gjysma e popullatës jemi në lidhje familjare me rusët. Ajo çka po ndodh është e rëndë, duhet të ndalet sa më shpejt kjo gjendje”, kërkon ajo.

Jana Zhdrella u ka bërë konak të afërmeve, thotë se burri i saj ishte shtysa kryesore që familjarët e saj të strehoheshin në Kosovë.

“Burri e ka përjetuar luftën vetë dhe e ka ditur se çfarë mund të ndodhë dhe ta përjetojë. Me ditën e parë ka ardhur dhe ka thënë: Jana, thirri krejt familjarët, këtu ne i presim, i rehatojmë, i akomodojmë, çka kemi të hamë, të pimë, do të ketë edhe për ata. Gruaja duhet të ketë mbështetjen e burrit. U kam shkruar të gjithëve, kushërira ime ka ardhur me familjaren e vet dhe jam gëzuar, sepse shumica kanë mbetur aty, nuk po duan të dalin, disa kanë shkuar në Bullgari, sepse nëna ime jeton atje dhe kanë shkuar tek ajo”, ka treguar Zhdrella.

Pas disa ditë qëndrimi në shtëpi, fëmijëve nga e marta u është mundësuar edhe vajtja në qëndrim ditor. Nënat refugjate iu gëzuan këtij çasti, megjithëse kujtuan fëmijët që po vriten në luftë.

“Çdo mëngjes zgjohem dhe lutem për fëmijët që janë atje, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë, sepse gjendja është luftë. Janë duke u vrarë edhe fëmijët. Shumë po më dhimbsen. Ju lus ta ndalni luftën, nuk është mirë që në shekullin 21 të ketë këso lufte, sepse është më shumë luftë kundër popullit sesa kundër shtetit”, ka apeluar Vitalievna Kydurko.

Lufta në Ukrainë ka filluar 20 ditë më parë dhe deri më tani rreth 3 milionë ukrainas janë detyruar të largohen prej vendit të tyre, duke kërkuar strehim nëpër vende të ndryshme evropiane.