Para mbi 20 vjetëve shqiptari i Kosovës, Zeqirja Zeka, u largua me bashkëshorten e tij ukrainase, Jana, dhe fëmijët e tij nga lufta në Kosovë. Tash nëna e Janas dhe motrat e vëllai i saj janë duke ikur nga pushtimi i Rusisë.
Historia e Jana Michailenkos dhe Zeqirja Zekës nisi në vitin 1992 në Kiev. Zeqirja, 32-vjeçar atëbotë, një inxhinier i elektrikes që punonte në një kompani zvicerane në Ukrainë, i pëlqeu ukrainases 19-vjeçare për shkak të stilit të tij mesdhetar.
“Dukej shumë italian. Më pas tha se ishte nga Kosova, më duhet ta pranoj, se nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time për këtë vend”, rikujton Jana në një bisedë për “Deutsche Welle”.
Atëbotë Jana dhe Zeqirja jetonin në Podol, një lagje në kryeqytetin ukrainas, Kiev, shpesh i binte të takoheshin njëri me tjetrin. Pas disa takimeve të tilla të rastësishme ata e lanë një takim mes tyre – në kishën e famshme “Shën Andreas”. Që nga atëherë janë çift. Në vitin 1993, kur Zeqirja u transferua në qytetin më të ftohtë të botë, Yakutsk, në verilindje të Rusisë, rreth 6 000 kilometra e gjashtë zona kohore larg, Jana shkoi me të.
Menjëherë pas kësaj Jana mbeti shtatzënë. Lindi të birin Adrianin më 13 shtator të vitit 1993, fëmija i parë i çiftit kosovaro-ukrainas.
Jana e Zeqirja vendosën të martoheshin – por për shkak të distancës së madhe mes Kosovës, Kievit dhe Yakutskut, në dasmë nuk morën pjesë familjarët nga Kosova e po ashtu as ata nga Ukraina. Ata festuan me fëmijën e tyre të porsalindur dhe me miqtë e rinj rusë.
Edhe
Mbërrijnë në Kosovë refugjatët e parë ukrainas
Një vit më vonë Zeqirja arriti t’i bindte punëdhënësit e tij që ta transferonin në Prishtinë, kryeqendër e Kosovës.
Jana më në fund u njoftua me familjen e bashkëshortit të tij.
“Më pushtoi miqësia dhe pritja me plot dashuri që ma bënë prindërit e Zeqirjasë dhe familjarët e tij”, tregon Jana.

Vizita nga Kievi
Në të njëjtin vit nëna e Janas, Vira, shkoi për vizitë katërjavore në Prishtinë, për t’u njohur me nipin e po ashtu edhe me familjen e dhëndrit të saj. Kështu që ajo ishte e pranishme edhe në ditëlindjen e parë të Adrianit. Por ishte vizita e fundit e Viras për fundin e viteve 1990. Vira kishte frikë të udhëtonte në Kosovë, pasi atje shpërtheu konflikti mes shumicës shqiptare dhe regjimit serb dhe vetëm sa po përkeqësohej.
Atëbotë Kosova nominalisht ishte “provincë autonome” e Serbisë. Mirëpo, të drejtat e lidhura me autonominë ishin hequr nga presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, qysh në fund të viteve 1980.
Që nga atëherë shqiptarët e Kosovës – që përbënin gati 90 për qind të popullatës në atë pjesë – ishin në hije të popullatës serbe prej afro 7 për qind.
Kundër kësaj shumë shqiptarë fillimisht protestuan në mënyrë paqësore. Por, pasi situata nuk ndryshoi, në vitin 1996 erdhi te një përplasje e dhunshme me forcat serbe të sigurisë.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë

Lufta në Kosovë
Në vitin 1996 u lind Ardita, vajza e parë e Janas dhe Zeqirjasë. Atë vit gjithë familja Zeka mori pjesë në protesta kundër situatës së shqiptarëve në Kosovë.
Pati arrestime e keqtrajtime nga policia serbe. Kjo la veçanërisht gjurmë tek Adriani. Ai sa herë që shihte ndonjë person me uniformë kishte sulme ankthi. Në vitin 1998, Jana dhe Zeqirja ikën në Angli me Adrianin dhe Arditën.
Aty lindi vajza e tyre e dytë, Miranda. Vetëm në vitin 2000, pas përfundimit të luftës, familja Zeka u kthye në Kosovë, që në atë kohë ishte nën administrim të Kombeve të Bashkuara. Jo shumë kohë më pas prindërit e Zeqirjasë vdiqën. Për fëmijët nga gjyshërit ka mbetur vetëm Vira, nëna e Janas. Aty jeton edhe motra e Janas, Alla, dhe vëllai i saj Michaeli.
Në vitin 2003, Jana, Zeqirja, Adriani, Ardita dhe Miranda më në fund ishin në gjendje të udhëtonin së bashku në Ukrainë. Nuk kishte probleme me komunikim: Jana flet gjuhën ukrainase dhe ruse shumë rrjedhshëm, gjuhën shqipe e ka mësuar nga bashkëshorti i saj. Zeqirja ndërkohë pos gjuhësh shqipe di edhe anglisht, rusisht e serbisht.
Në shtëpi familja Zeka flet kryesisht shqip, por Jana ua ka mësuar fëmijëve edhe gjuhën ruse, pasi kjo gjuhë flitet më gjerësisht sesa gjuha ukrainase, që është gjuhë amtare për të. Një prapavijë politike nuk kishte ky vendim atëherë.
Lufta në Ukrainë
Por, gjithçka ka ndryshuar rrënjësisht që nga 24 shkurti i vitit 2022. Që nga atëherë familjarët ukrainas të familjes Zeka janë duke u kërcënuar drejtpërdrejt nga lufta e nisur nga agresori rus. Njëjtë familja Zeka kishte qenë e kërcënuar në vitet 1990 nga lufta në Kosovë. Çdo ditë bomba dhe raketa të ushtrisë ruse kanë goditur objektet civile dhe ndërtesat e banimit në Ukrainë. Ndërkohë edhe në kryeqendër, Kiev.
Edhe
Katër vjet luftë me Rusinë, refugjatët ukrainas në Kosovë e mësojnë shqipen
Kjo situatë është më e rrezikshme sesa çdo situatë që ka përjetuar familja Zeka dhe nëna e Janas. Jana është e lumtur që nëna Vira dhe motrat e vëllezërit e saj arritën të largoheshin nga Kievi për në afërsi të kufirit me Sllovakinë. Por, edhe pse mund të bashkoheshin me familjen Zeka në Kosovë, ata nuk duan të largohen nga Ukraina.
“Unë flas me nënën time çdo ditë që ta di se si është ajo dhe motrat e vëllai im”, ka treguar Jana. “Faleminderit Zotit, ata kanë internet, kështu që mund të mbajmë kontakt. Është e vështirë për mua kur e di se nuk mund të bëj më tepër. Vetëm mund të lutem, që të mbesin gjallë dhe të mos u ndodhë asgjë”.