Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Familja Jashari i gëzohet emërimit të Bashkimit komandant të FSK-së

Bekim Jashari, i biri i Hamëz Jasharit, ka shprehur gëzimin e familjes për emërimin e Bashkim Jasharit komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Jashari u emërua të martën komandant i ri i FSK-së, pas dorëheqjes së Rrahman Ramës. Bashkim Jashari është djali i Rifat Jasharit, të vëllait të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Bekim Jashari, në një reagim në Facebook, ka thënë se komandanti i ri do të fuqizojë ushtrinë deri në integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë. Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urime Komandant Bashkim Jashari!” ka shkruar Jashari në Facebook.