Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Mitrovicës së Jugut, Burim Ibishi, ka treguar se 20 familje është dashur të evakuohen nga lagjja “Amina” të enjten shkaku i vërshimeve. Ai në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë lagjet më të prekura ishin “Amina” dhe “2 Korriku”, ndërsa ka shtuar se situata po shkon duke u stabilizuar.
“Jemi aktualisht në lagjen ‘Amina’ siç e quajmë. Këtu i kemi evakuuar diku rreth 20 familje. Për momentin gjendja është e qetë. Vërshimet i kanë marrë lagjet ‘Amina’ e ‘2 Korriku’, të cilat ishin më të prekurat në këtë zonë. Në lagjen ’2 Korriku’ janë evakuuar rreth 30-40 persona”, tha Ibishi, që ka treguar se janë duke i ndihmuar nga Agjencia për Menaxhim Emergjent dhe nga një grup vullnetarësh.
Ai ka thënë se personat po evakuohen me varka.
Ibishi ka thënë se nuk ka ndonjë shqetësim, pasi gjendja po shkon duke u stabilizuar.
Ai ka treguar se në Mitrovicë të Jugut ka mungesë të zjarrfikësve.
“Jemi vetëm 26, ndërsa duhet të kemi 42 zjarrfikës. Kemi mungesë të madhe dhe me pajisje jemi aty-aty, por jo mirë”, tha Ibishi.
Ibishi ka krahasuar këto vërshime me ato të vitit 2021. Ndërsa ai ka treguar se problem më i madh po është pasi po ka familjar që po refuzojnë të largohen nga shtëpitë dhe kjo po krijon më pas telashe.
Evakuohen 15 familje në Mitrovicë
Nga ora e dy e mëngjesit e deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë, ka bërë të ditur Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi.
Si pasojë e vërshimeve, Ibishi ka bërë të ditur se situata në këtë pjesë të qytetit nuk është e mirë, pasi uji ka përfshirë pothuajse tërë zonën.
Sipas tij, ekipet në terren po përballen edhe me vështirësi shtesë, pasi disa banorë po refuzojnë evakuimin.
“Disa banorë po dalin, disa jo. Kjo po na krijon problem dhe po kërkon organizim të kujdestarisë. Gjendja nuk është e mirë, por nuk mund të them se është diçka jashtëzakonisht alarmante”, ka thënë Ibishi për Kosovapress.
Ai ka shtuar se për momentin ujërat janë ende brenda shtretërve të tyre dhe nuk kanë dalë jashtë, por lagjet “2 Korriku” dhe “Lisica” mbeten më problematiket, ku zjarrfikësit po përballen me më së shumti telashe dhe po qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme.