Eurodeputetë, të udhëhequr nga raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, që kanë mbërritur në Tiranë për të diskutuar zgjidhjen e mundshme të krizës politike në vend, pas takimeve me përfaqësues të pushtetit e të opozitës janë shprehur skeptikë për një zgjidhje, pasi "duket se tonet nuk janë të linjës së dialogut”.
Më i ashpri prej eurodeputetëve është shfaqur vetë Flekenstein.
“Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat duhet të ruajnë qetësinë, pasi pamjet e dhunës në protesta vonojnë integrimin e vendit. Për më tepër, zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat. I bëjmë thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë”, ka thënë Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman.
Disi më i butë, por jo pak kritik, është shfaqur edhe Tunne Kelam.
“PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në Drejtësi është thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve. Është përgjegjësia e të gjithëve ju që të bashkëpunoni për interesin kombëtar, ndërsa ne po largohemi me përshtypje pozitive për arritjet tuaja, por me përshtypje negative për ndarjen politike dhe mungesën e bashkëpunimit”, tha Tunne Kelam.
Ai ftoi politikanët shqiptarë të arrijnë konsensusin dhe t’iu dërgojnë sinjale pozitive për negociatat europarlamentarëve. Një qëndrim që e ndau edhe eurodeputeti Preda. “Kam vëzhguar zgjedhjet e vitit 2017 dhe ishin korrekte. Më 5 mars informojmë PE-në për arritjet tuaja, ndërsa ka ende mundësi që opozita të kthehet në Kuvend. Pas 10 ditësh do të jetë vonë”, tha ai.
-
Eurodeputetët vizitë në Shqipëri: Po humbasim durimin me opozitën
-
Për Parlamentin Europian, Shqipëria ka Qeveri dhe Parlament legjitim
-
Eurodeputeti që raporton për Shqipërinë nuk rizgjidhet në PE
-
Fleckenstein e Kukan iu drejtohen shqiptarëve për protestat
-
“Washington Post”: Ligjvënësit e PE-së dënojnë fuqimisht dorëheqjen e opozitës