Nga kjo e premte, EULEX-i, nga një mision ekzekutiv, do të kalojë në një mision këshillëdhënës.
Pas 10 vjetësh, misioni i BE-së për polici dhe drejtësi EULEX, çdo lëndë të tijën do ta bartë tek institucionet kosovare të drejtësisë.
E, përkundër akuzave të viteve të fundit për korrupsion nga vetë zyrtarët e këtij misioni, EULEX-i po vlerëson se ka krijuar një trashëgimi të dukshme në Kosovë.
“Gjyqtarët e Misionit kanë dhënë më se 648 vendime gjyqësore, duke përfshirë këtu 479 vendime në raste të krimeve të rënda, si korrupsioni, krimi i organizuar, krimet e luftës, trafikimi i qenieve njerëzore, etj. Për më tepër, këtu hyjnë edhe 149 vendime gjyqësore në raste civile, 42,000 vendime nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe shume vendime gjyqësore nga Paneli i Ankesave të Agjencisë Kosovare të Pronës”, thuhet në Zyrën për Informim të EULEX-it.
Ky mision thotë se do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugëtimin e tyre drejt rritjes se efikasitetit, qëndrueshmërisë, llogaridhënies, etj.
Aferat për korrupsion brenda këtij misioni dhe mosarritja e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po vlerësohet se e dëmtuan në masë të madhe kredibilitetin e këtij misioni.
Edhe
Presidenca: EULEX-it i ka skaduar mandati
Por, transferimi i lëndëve tek institucionet vendore nuk pritet të japë efekte pozitive.
EULEX-i është krijuar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian, misioni i të cilit ishte që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në krijimin e qëndrueshmërisë dhe pavarësisë në sundimin e ligjit.
Ndërsa, Misioni do të vazhdojë t’i monitorojë disa raste dhe gjykime të përzgjedhura në institucionet kosovare të drejtësisë penale dhe civile, si dhe do të vazhdojë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.